Kanada

Patrick Brown shpall kandidaturën për kreun e Partisë Konservatore Kanadeze

  • Published in Kanada

Kryetari i Bashkisë Brampton (Ontario) dhe ish-lideri i Partisë Konservatore Progresiste të Ontarios, Patrick Brown, ashtu siç pritej, ka zyrtarizuar dje (13.03) hyrjen e tij në garën për kreun e Partisë Konservatore të Kanadasë.

Në fjalën e tij para mbështetësve në Brampton, ai e ka paraqitur veten si një kandidat i aftë për të bashkuar konservatorët dhe për të fituar zgjedhjet e përgjithshme, këmbëngulës dhe i fokusuar te një program ekonomik që mundëson një jetesë të përballueshme për të gjithë, e njëkohësisht si mbështetës i promovimit të lirisë fetare.

“Pyetja që cilido do votojë në këtë garë lidershipi duhet t'i bëjë vetes është: a mund të bëhet ky kandidat kryeministër, apo do ta mbajë partinë tone akoma në opozitë? Pavarësisht se nga cila provincë apo territor jeni, kë doni, cili është besimi juaj, apo nëse jetoni në një fermë apo në një qytet, ju keni nevojë për një kryeministër që dëgjon zërin tuaj, dhe ai jam unë”, u shpreh Patrick Brown.

Patrick Brown me familjen, dje në hapjen e fushatës në Brampton

I mbështetur në diversitetin kulturor të qytetit që drejton (rreth 600,000 banorë, i treti në GTA për nga popullsia) kryebashkiaku aktual i Brampton-it ka pohuar se duhen përpjekje për ta zgjeruar anëtarësinë e Partinë Federale Konservatore, që ka marrë shumë vota në Kanadanë rurale në dy zgjedhjet e fundit, por ka pasur vështirësi në zonat urbane të vendit. “Unë synoj që edhe njerëzit të cilët nuk kanë votuar kurrë për konservatorët, që kanë votuar për partitë e tjera, të ndihen të mirëpritur në partinë tone”, ka vazhduar Brown.

Kësisoj, ai është pozicionuar që në fillim të garës si mbrojtës i të drejtave të komuniteteve kulturore dhe fetare, duke siguruar se do të vazhdojë të mbështesë kundërshtimin në gjykata, ashtu siç ka bërë dhe më parë në emër të bashkive kanadeze, të projektligjit 21 për laicitetin e shtetit në Québec. Në programin e tij gjithashtu bën pjesë edhe mbrojtja e gjuhës frënge. “Për të mbijetuar, frëngjishtja duhet t'u transmetohet fëmijëve tanë dhe të jetë pjesë e jetës në të gjithë vendin”, ka theksuar Brown, duke vënë në dukje veçanërisht rëndësinë e autonomisë së Québec-ut.

Prania e Patrick Brown në garë për kreun e opozitës zyrtare konsiderohet nga analistët si një sfidë interesante politike edhe në aspekte të tjera. Në aspektin e mbrojtjes së mjedisit, ai pat ndryshuar qëndrimin e Partisë Konservatore të Ontarios përpara zgjedhjeve të 2018 duke mbështetur taksën e karbonit. Megjithatë, përballë rritjes së papritur të çmimit të benzinës, ai i kërkoi qeverisë federale të anulojë rritjen e planifikuar të kësaj takse më 1 prill. Sipas tij, Konservatorët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes për ndryshimet klimatike, por zgjidhja duhet të jetë e ekulibruar në raport me sfidën e kostos së përballueshme të jetesës.

Pra Brown ende nuk ka vendosur një qëndrim të qartë për taksën e karbonit, nëse zgjidhet në krye të partisë, por ka theksuar që si drejtues, do të nxisë një konsultim me të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore për temën e mjedisit. “Nga përvoja kam mësuar se janë anëtarët ata që duhet të vendosin për qëndrimet e partisë dhe jam i bindur që sëbashku mund të gjejmë zgjidhje të frytshme”, deklaroi ai dje.

Patrick Brown në kohën kur drejtonte Federatën e të Rinjve Progresistë Konservatorë

Patrick Brown, 43 vjeç, i lindur në Toronto nga prindër me origjinë irlandeze dhe italiane, i diplomuar në Shkenca Politike dhe Drejtësi, ka qenë 9 vjet deputet federal i Partisë Konservatore (2006-2015) dhe më pas deri në janar 2018, deputet i legjislaturës provinciale të Ontarios dhe lider i opozitës zyrtare konservatore. Disa muaj para zgjedhjeve të viti 2018 ai u tërhoq pas një akuze të bërë publike nga CTV për sjellje të padenjë seksuale. Një padi për shpifje e ngritur kundër CTV lidhur me raportimin mbi akuzat, u zgjidh me mirëkuptim në fillim të javë së kaluar.

Pas tërheqjes totale nga politika provinciale më 25 janar 2018, Patrick Brown u rikthye sërish në politikën bashkiake (ku e pat nisur karrierën si këshilltar në fillim të viteve 2000 në Barrie) dhe u zgjodh kryetar i Bashkisë Brampton më 22 tetor të po të njëjtit vit. Pas zgjedhjes si kryebashkiak ai publikoi dhe librin “Takedown: The Attempted Political Assassination of Patrick Brown”. “Kur media u përpoq të më bënte viktimë të kulturës së dëbimit duke më njollosur me akuza të rreme, unë luftova dhe fitova” u shpreh ai për këtë çështje. Prej vitit 2018 Brown është i martuar me Genevieve Gualtieri e cila punon për SickKids Foundation dhe sëbashku kanë dy fëmijë.

Leslyn Lewis, Patrick Brown, Jean Charest dhe Pierre Polievre

Deri dje, në garën për të pasuar Erin O'Toole figuronin deputetët federalë Leslyn Lewis dhe Pierre Poilievre, ish-kryeministri i Québec Jean Charest dhe deputeti i pavarur i Ontarios, Roman Baber. Ndërkohë, Peter MacKay, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes në qeverinë Harper, i cili humbi përballë Erin O’Toole më 2020, deklaroi dy ditë më parë vendimin për të mos rikandiduar pa u shprehur se cilin mund të mbështesë.

Kandidati i pestë, Patrick Brown, konsiderohet nga analistët një opsion më centrist se deputetët Poilievre dhe Lewis. Në fillimet e karrierës së tij, ai njihej si një admirues i Jean Charest, kur ky i fundit ishte lider i Konservatorëve Progresistë federalë, të cilët më pas u bashkuan me Aleancën Kanadeze, për të formuar Partinë Konservatore të Kanadasë aktuale.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Chriss Young