Gilles Germain Brunet, spiuni kanadez që informonte KGB-në sovjetike
- Published in Kanada

Pas ndryshimit të statusit të disa dokumenteve zyrtare që u pat përfunduar afati i klasifikimit “sekret” dhe falë Ligjit për të drejtën e informimit, diku nga mesi i dhjetorit 2021, mediat më të njohura kanadeze raportuan rezultatet e një hetimi të kryer nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë, hetim sipas të cilit, frustracione të lidhura me paratë dhe vështirësitë financiare, egon dhe karrierën, kanë qenë arsyet që e kanë nxitur një oficer të Policisë Mbretërore Federale Kanadeze (RCMP) të pranonte të punonte për shërbimet inteligjente sovjetike për vite me radhë, duke u transmetuar atyre informacion sekret dhe shumë delikat.
Kjo sagë spiunazhi e kohës së Luftës së Ftohtë është zbuluar dhe provuar diku nga mesi i viteve 1980. Kështu, nga periudha e fundit të viteve 1960 deri në vitet 1970, rezulton që oficeri i RCMP Gilles Germain Brunet, ka qenë agjent zbulimi dhe kundërspiunazhi i KGB, Shërbimit Inteligjent Sovjetik,
Tradhëtia e Brunet ka qenë prej kohësh objekt thashethemesh të rrëfyera në artikuj të shtypit apo libra që nga fillimi i viteve 1990, por asnjëherë më parë shërbimet inteligjente nuk i patën konfirmuar publikisht veprimet e tij, aq më pak detajet e hetimit, që u krijuan atyre bindjen se ai ishte spiun me pagesë i Moskës.
Gilles Germain Brunet, një pijanec thekur, i dhënë pas luksit dhe dëfrimeve, vdiq në moshën 49-vjeçare, më 9 prill 1984, pas një infarkti në zemër, pikërisht në periudhën kur hetuesit e shërbimit sekret kanadez po i afroheshin të vërtetës rreth tij.
Qysh në vitin 2015 disa media kanadeze patën tentuar të njiheshin me dosjen në fjalë, madje edhe duke paraqitur ankesë pranë Komisionerit Federal të Informacionit, por publikimi i saj u refuzua nga Shërbimi Informativ Kanadez, refuzim që ia lejonte legjislacioni në fuqi. Gjithsesi, edhe pse qindra faqe u bënë publike tani pas gjashtë viteve, thuhet se një pjesë e tyre kanë pësuar redaktime të konsiderueshme,
Një tentativë e parë hetimesh nga Policia Mbretërore Federale për të zbuluar spiunin Brunet pat rezultuar e pasuksesshme. Ajo pat qenë fokusuar te një numër të dhënash operacionale nga viti 1967 deri më 1973 që lidheshin me sovjetikët. Pas shqyrtimit të qindra dosjeve personale dhe marrjes në pyetje të shumë personave nuk u arrit në asnjë konkluzion e nuk u gjet asnjë pistë që të çonte te Gilles Germain Brunet. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, sipas raportit të Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë, Brunet vazhdonte të konsiderohej si i dyshuari kryesor. Për rrjedhojë, hetimi i thelluar që u krye më pas, kishte për qëllim nga njera anë të vërtetonte pafajësinë e tij dhe nga ana tjetër të përcaktonte identitetin e agjentit kanadez të rekrutuar nga kundërzbulimi i KGB-së.
Pas disa viteve në radhët e ushtrisë, Gilles Germain Brunet iu bashkua Policisë Mbretërore Federale Kanadeze në vitin 1955, institucion ku babai i tij, Josaphat Brunet, pat drejtuar për një periudhë Divizionin e Sigurisë. Më vonë, Gilles Germain largohet nga forcat federale dhe punon për disa vjet në një kompani sigurimesh. Pastaj kthehet sërish atje dhe e kalon pjesën më të madhe të viteve 1960-të në Ottawa, në radhet e Shërbimit Informativ të Sigurisë.
Brunet i ri kaloi një kurs të gjuhës ruse në vitin 1967, pati probleme martesore dhe hyri në borxhe. Në vitin 1968, ai u transferua në Montréal dhe vazhdoi të punonte për çështjet e sigurisë. Ai u pushua nga puna prej Policisë Mbretërore Federale Kanadeze (RCMP) në vitin 1973, me arsye refuzimin e shkëputjes së lidhjeve me dikë që dyshohej se kishte marrëdhënie me botën e krimit. Pas largimit nga RCMP sektori i tij i aktivitetit ishte industria e sigurimeve private dhe shitja e kontratave paraprake për shërbime funerale.
Sipas të dhënave arkivore të RCMP, Brunet konsiderohej si një person inteligjent, luftarak dhe ambicioz, por edhe koprrac, hakmarrës dhe pa moral, ndërsa kur ia donte interesi i vet, tregohej jashtëzakonisht miqësor dhe i shoqërueshëm. Bënte gjithashtu rolin e “të fortit” dhe ishte shumë pijanec.
Në dhjetor 1983, një nga hetuesit e shërbimeve sekrete që po gërmonte në të kaluarën e Brunet, u bind se spiuni po zbulohej më në fund. Sipas shënimeve të hetuesit në fjalë, së pari, asnjë çështjeje që lidhej me sovjetikët, për të cilën kishte dijeni Brunet, nuk iu shkua dot deri në fund, edhe pse ai pati suksese operacionale në pjesë të tjera të vendit gjatë të njëjtës periudhë. Së dyti, në secilin prej rasteve të dokumentuara nga hetimet mbi spiunë të mundshëm, kërkimet nuk vazhduan dot më tej, në të gjitha rastet kur Brunet vihej në dijeni. Kjo linte të kuptohej se ai jo vetëm ishte kompromentuar nga KGB, por edhe shumë i zellshëm ndaj padronëve të tij sovjektikë, aq sa u transmetoi atyre gjithçka për të cilën ai kishte informacion.
Hetimet e mëpasshme përfshinë intervista të shumta me anëtarë aktivë dhe në pension të Shërbimit të Sigurisë si dhe të njohur apo persona kontakti të Brunet. Sipas raportit të Shërbimit Informativ Kanadez, shumë nga personat që bashkëbiseduan me hetuesit nuk treguan fare habi më faktin që Gilles Germain Brunet, koduar asokohe me emrin Notebook, ishte ndër të dyshuarit kryesorë për spiunazh në favor të sovjetikëve. Ata ishin shprehur se kishin dijeni për inatet që Brunet kishte më Policinë Federale, por edhe që ai ishte njeri me karakter të dobët dhe me besnikëri shumë të diskutueshme.
Në raport hetuesit kanë nënvizuar dy raste evidente të dala nga hetimet. I pari, gjetja e një zarfi me shumën 960 dollarë (kartmonedha 20 dollarëshe) në automjetin e Brunet, në vitin 1968, kohë kur ai ishte në vështirësi financiare dhe kur të ardhurat e tij vjetore ishin më pak se 10,000 dollarë. I dyti, pohimet e një barmani të Hotelit Skyline në Ottawa, i cili e ka njohur Brunet në disa fotografi, çka i ka bindur hetuesit se ai është takuar më shumë se një here, me një person të dyshimtë, emri i të cilit është fshirë nga dosja e Shërbimit Sekret Kanadez. Të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se personi, emrit i të cilit është fshirë nga dosja, ishte një sovjetik, pika e kontaktit me Brunet pranë shërbimit të kundërspiunazhit të KGB.
Në shkurt 1984, përmes fotografimit ajror, disa dedektivë të shërbimeve sekrete patën konstatuar që shtëpia e Brunet në Montréal, në zonën e Mont Royal, ishte fare pranë Konsullatës Sovjetike, madje shihej me sy prej andej. Ndërkohe, survejimi i tij nga RCMP ka vazhduar deri në fillim të prillit 1984, madje dhe mbrëmjen para vdekjes së tij, kur ai ndodhej në një piceri. Mbi pllakën e varrit të tij që ndodhet në një nga varrezat e Montréal është vendosur një pamje nga plazhi Acapulco të Meksikës (një prej vendeve të tij të preferuar) dhe një gotë Martini.
Në vitin kur vdiq Gilles Germain Brunet, çuditërisht u vendos dhe shkrirja e Shërbimit të Sigurisë të Policisë Federale (pas një serie skandalesh që provokuan dhe krijimin e një komisioni hetimor) funksionet e të cilit i mori Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë, që u krijua më 21 qershor 1984. Ky shërbim e vazhdoi hetimin mbi rastin Brunet, bazuar në disa informacione shtesë, të marra diku nga fundi i vitit 1985 apo fillimi i vitit 1986. Edhe pse shumë detaje janë hequr nga dosja, kjo pistë informacioni, sikurse dhe ajo vitit 1982, duket se burimin e ka nga një dezertor sovjetik.
Hetuesit e Canadian Security Intelligence Service (CSIS) kanë vazhduar shqyrtimin me imtësi të provave dhe marrjen në pyetje të shumë individëve, duke mos përjashtuar as mundësinë e ekzistencës së të dyshuarve të tjerë. Shërbimi i spiunazhit mblodhi gjithashtu të dhëna të detajuara mbi transaksione bankare të Brunet, të cilit tashmë i ishte caktuar post mortum emrin i ri i koduar Coach.
Më në fund, raporti i vitit 1987 përgatitur për zv. ministrin e Drejtësisë John Tait, provon qartë se CSIS është i bindur që Gilles Germain Brunet ishte pikërisht agjenti i rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës sovjetike. Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë doli gjithashtu në përfundimin se kontakti i Brunet me ish-kolegët provonte që edhe pas shkarkimit të tij nga Shërbimi Inteligjent i RCMP në vitin 1973, ai ka vazhduar të punojë për kundërzbulimin e KGB.
Në gusht të vitit 1986, CSIS filloi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga veprimtaria në shërbim të KGB e Gilles Germain Brunet
Një dokument i përgatitur për një konferencë të vitit 1998 nga Peter Marwitz, një oficer në pension i Shërbimit të Sigurisë dhe Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë, theksonte që Gilles Germain Brunet kishte informuar KGB për vendndodhjen e pajisjeve të pëgjimit të instaluara në Ambasadën Sovjetike në Ottawa dhe kishte spiunuar aktivitetet e një atasheu ushtarak kanadez të vendosur në Moskë. Sipas të njejtit dokument, thuhej se Brunet pat marrë më shumë se 700,000 dollarë nga KGB, por në atë kohë, një zëdhënës i Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë e pat konsideruar si spekulim materialin e përgatitur nga Marwitz. Ndërkohë sot, disa prej hetuesve që janë marrë me dosjen Brunet ose kanë vdekur, ose refuzojnë të flasin për të.
Raporti i Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë që iu paraqit John Tait, pohon gjithashtu se vetëm Brunet mund ta zbulonte motivimin e tij të vërtetë për të spiunuar, por komenton që motivi mund të ishte një kombinim mes përfitimit financiar, egos, zhgënjimeve profesionale dhe opinionit të vetë Brunet për shërbimin e sigurisë, sipas tij një levë shumë e vogël në një lojë e madhe.
Ndërkohë edhe pse bashkëpunimi i Brunet me KGB-në nuk u zbulua gjatë periudhës kur ai punonte për Policinë Mbretërore Federale Kanadeze, RCMP, hetimet e kësaj të fundit rreth një spiuni të mundshëm në radhët e saj, patën provokuar largimin një zyrtari civil të kundërzbulimit, të quajtur Leslie James Bennett. Megjithatë, në vitin 1993, qeveria federale e shfajësoi Leslie Bennett, i cili kish emigruar në Australi, madje i pagoi atij dëmshpërblim.
©Flasshqip me informacion nga The Canadian Press
Foto: Chris Wattie/Reuters, Paul Chiasson/The Canadian Press