Kanada

Ambasadorja e re e Kanadasë në Shqipëri i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

  • Published in Kanada

Nga sot (17.03), Kanadaja do të ketë një ambasadore të re që përfaqëson shtetin kanadez në Shqipëri. Ajo quhet Elissa Golberg dhe ka zëvëndësuar Alexandra Bugailiskis, që e mbante këtë post qysh nga gushti i viti 2017. Ambasadorja Golberg sot në Tiranë i ka paraqitur Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Lajmi është bërë i ditur përmes rrjetit social Facebook nga vetë Presidenti Meta i cili në mesazhin e tij shkruante:

“Kënaqësi e veçantë të takoja sot Ambasadoren e re të Kanadasë në Shqipëri, Sh. S. Znj. Elissa Golberg, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

I urova shumë suksese në misionin e saj diplomatik në Shqipëri dhe i shpreha vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dhe të partneritetit të ngushtë mes dy vendeve tona.

Nënvizova rëndësinë, sidomos në interes të komunitetit shqiptar në Kanada, të finalizimit të Marrëveshjes “Për sigurimet shoqërore” dhe marrëveshjeve "Për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve" dhe "Heqjen e Taksimit të Dyfishtë".

Çmova partneritetin e ngushtë në kuadër të OSBE-së, NATO-s dhe OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, për çështjet e sigurisë, stabilitetit dhe paqes, veçanërisht për çështjen kritike të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojave dramatike të saj.

I lumtur të ndanim të njëjtat vlerësime për rolin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Kanada, si urë lidhëse dhe faktor me peshë në bashkëpunimin dhe forcimin dhe intensifikimit e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë”.

Kush është Elissa Golberg?

Sipas informacionit të publikuar në internet nga qeveria e Kanadasë, Elissa Golberg është Ambasadore e Kanadasë në Republikën Italiane, Ambasadore e Kanadasë në Republikën e Shqipërisë (jo rezidente) dhe në Republikën e San Marinos, Komisionere e Lartë për Republikën e Maltës dhe Përfaqësuese e Përhershme e Kanadasë pranë Agjencive të OKB në Romë, IFAD dhe WFP (agjencitë që mbulojnë bujqësinë dhe ushqimin). Para se të emërohej në Romë dhe Tiranë, ajo ka shërbyer si Ndihmës Zëvendësministre e Politikave Strategjike pranë Global Affairs Canada (2017-2021), përgjegjëse për Inovacionin dhe Eksperimentimin e dikasterit dhe përgjegjëse për Menaxhimin e Performancës dhe Rezultateve.

Golberg ka ushtruar gjithashtu disa funksione të larta në qeverinë kanadeze, duke përfshirë: Ndihmës Zëvendësministre e Partneriteteve për Zhvillimin dhe Inovacionin (2015-2017); Ambasadore dhe Përfaqësuese e Përhershme në Kombet e Bashkuara (Gjenevë) dhe në Konferencën për Çarmatimin (nga 2011 deri në 2015); Drejtoreshë e Përgjithshme e Task Forcës për Stabilizim dhe Rindërtim (2009-2011) dhe Përfaqësuese Kanadeze në Kandahar, Afganistan (2008-2009).

Elissa Golberg është anëtare e Bordit Këshillimor të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Çarmatimit dhe e Grupit Këshillues të Fondit Qëndror të Kombeve të Bashkuara për Reagimin ndaj Emergjencave.

Ambasadorja Golberg eshtë e diplomuar Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ajo është dekoruar me Medaljen e Shërbimit të Forcave Ndihmëse për Sigurinë Ndërkombëtare të NATO-s (ISAF), Medaljen Jubilare të Mbretëreshës, është fituese e Çmimit të Ekselencës në Administratën Publike dhe tri here fituese e Çmimit të Ekselencës në Politikën e Jashtme që akordohet nga Ministri i Jashtëm i Kanadasë.

©Flasshqip.ca