Kanada

6.4 miliardë dollarë për pesë stacione të reja në linjën blu të metrosë së Montrealit

  • Published in Kanada

Qeveria provinciale e Québec, ajo federale si dhe Bashkia Montreal, njoftuan sot (18.03) akordimin e një buxheti prej 6.4 miliardë dollarësh për zgjatimin me pesë stacione të rinj të linjës blu të metrosë së Montrealit, ndërmjet stacionit aktual fundor Saint-Michel dhe Anjou. Zgjatimi i linjës blu do të vazhdojë përgjatë rrugës Jean-Talon, në kryqëzimet me bulevardet Pie-IX, Viau, Lacordaire dhe Langelier si dhe me rrugën Bélanger, në të dyja anët e autostradës 25, për stacionin fundor në Anjou. Për herë të parë për ketë projekt është folur në vitin 1989, plot para 33 vjetësh.

Shpallja e këtij investimi madhor me impakt pozitiv mjedisor për metropolin frankofon, u bë gjatë pasditës në një konferencë për shtyp nga Ministrja e Transportit Chantal Rouleau, përgjegjëse edhe për Montrealin metropolitan, e cila shoqërohej nga Ministri Federal i Trashëgimisë Kanadeze, Pablo Rodriguez, Kryetarja e Bashkisë së Montrealit, Valérie Plante dhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Kompanisë së Transportit të Montreal, Éric Alan Caldwell.

Sipas Kryetares së Bashkisë së Montreal, projekti i ri do të integrohet me një zonë ku do të ndërtohen 13,000 banesa të reja që do të rigjallërojnë krejt sektorin dhe arteriet tregëtare ekzistuese, projekt nga i cili përfitimi i bashkisë dhe Autoritetit Rajonal të Transportit Metropolitan nga promotorët llogaritet në rreth 300 milionë dollarë.

Nga shuma totale e parashikuar për projektin prej 6 miliardë dollarësh 1.3 miliard janë kontribut nga qeveria federale, ndërsa pjesa tjetër nga qeveria provinciale. Përgjegjësia për zbatimin i është deleguar Kompanisë së Transportit të Montreal e cila së shpejti do të shpallë tenderin për realizimin e projektit, që do të nisë së pari më shpimin e tunelit nëntokësor dhe parashikohet të përfundojë plotësisht në vitin 2029.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Paul Chiasson, La Press/Alain Roberge, Radio-Canada