Kanada

Ontario - Shpërndahet Parlamenti, zgjedhjet më 2 qershor

  • Published in Kanada

Në mbyllje të legjislaturës 4 vjeçare, kryeministri i Ontarios Doug Ford, është takuar sot (03.05) në ora 15:00 me lejtënant-guvernatoren e provincës, Elizabeth Dowdeswell, për t’i kërkuar asaj shpërndarjen e Parlamentit . Pas dekretimit të shpërndarjes në ora 16:00, nga sot në Ontario ka filluar fushata elektorale dhe zgjedhjet e radhës do të zhvillohen pas 30 ditësh, më 2 qershor.

Në fakt fushata jo zyrtarisht kish nisur qysh prej disa javësh dhe dy nga tri partitë kryesore, Kosnservatorët dhe Neodemokratët, i patën publikuar platformat e tyre. Nga sondazhet e publikuar deri tani, rezulton se kryeson Partia Progresiste Konservatore e ndjekur nga Partia Liberale dhe Partia Demokratike e Re (NDP).

Kryeministri Doug Ford, kreu i konservatorëve, është në kërkim të mandatit të dytë. Nga perceptimi i përgjithshëm, duket se sfida për të mbetet rifitimi i mazhorancës. Ndërkohë, pas disfatës totale të vitit 2018, kur përfunduan me vetëm 7 deputetë nga 124 gjithsej që ka Parlamenti i Ontarios, Liberalët janë në kërkim të një rezultati më të mirë, të paktën për të marrë statusin e opozitës zyrtare. Partia Liberale kryesohet aktualisht nga Steven Del Duca, ish-ministër i Transporteve në qeverinë e fundit të Kathleen Wynne (Del Duca në 4 vitet e kaluara ishte jashtë parlamentit). Nga ana e tyre, Neodemokratët do të kryesohen sërish në këtë fushatë nga Andrea Horwath, deputete e Hamiltonit dhe lidere e opozitës zyrtare gjatë legjislaturës që sapo u mbyll.

Me synimin që të reduktohen në maksimum radhët e gjata ditën e zgjedhjeve, Elections Ontario ka nisur menjëherë thirrjet në adresë të qytetarëve për t’i nxitur ata të votojnë paraprakisht ose përmes postës.

Foto: Radio-Canada/Colin Roch