Kanada

Rusia mbyll zyrën e CBC/Radio-Canada në Moskë

  • Published in Kanada

Pas gati gjysëm shekulli ekzistence në Moskë, zyra e CBC/Radio-Canada do të mbyllet. Njoftimi ka dalë sot (18.05) nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Sipas vendimit të qeverisë ruse, do t'u hiqen gjithashtu vizat dhe akreditimet gjithë gazetarëve që kanë punuar për median shtetërore kanadeze në Moskë deri tani.

“Ky vendim është kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Kanadasë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Qeveria Trudeau ka marrë një orientim haptazi rusofob. CBC është kthyer në një megafon për propagandën anti-ruse”, ka deklaruar zëdhënësja e Diplomacisë së Kremlinit, Maria Zakharova, gjatë një konference për shtyp me gazetarët. Në Twitter, Zakharova, ka përmendur gjithashtu vendimin e Ottawa për të ndaluar transmetimet e kanalit rus të lajmeve RT në anglisht dhe frëngjisht në territorin e Kanadasë. Të njejtën arsye ka përmendur dhe Ambasada ruse në Kanada një një email që i ka dërguar CBC.

Gjatë një konference virtuale për shtyp ku mori pjesë dhe Tamara Alteresco, deri tani korrespondente zyrtare në Moskë, Drejtoresha e Përgjithshme e Informacionit të Radio-Canada, Luce Julien e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të errët për gazetarinë, duke shprehur njëkohësisht dhe zhgënjnimin e saj për vendimin e Kremlinit. Sipas saj, kjo është hera e parë që një qeveri e huaj mbyll një zyrë të Radio-Canada jashtë vendit. Në fakt, pas mbylljes së kanalit gjerman Deutsche Welle në fillim të shkurtit sivjet (si raprezalje për të njëjtat arsye), ky është rasti parë qysh nga fillimi i luftës në Ukrainë, që një media perëndimore urdhërohet të largohet nga territori i Rusisë

Kujtojmë që CBC/Radio-Canada e pat pezulluar aktivitetin e saj gazetaresk në Rusi më 4 mars 2022, pas miratimit të një ligji që vendoste dënime të rëndë burgimi dhe gjoba të larta për këdo që publikonte informacione që konsideroheshin të pavërtetë për ushtrinë ruse. Media shtetërore kanadeze më pas pat deklaruar se donte të qartësonte qëllimin e këtij ligji të ri për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të saj të atashuar në Moskë. Disa media perëndimore e ndoqën këtë lëvizje, por ndërkohë, kanali britanik BBC dhe rrjeti amerikan CNN e rinisën aktivitetin e tyre në kryeqytetin rus.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: CBC/Radio-Canada (godina historike Kotelniçeskaja në Moskë, ku deri tani kanë qenë të vendosura zyrat e CBC/Radio-Canada).