Kanada

Ontario, Kryeministri Konservator Doug Ford fiton bindshëm mandatin e dytë

  • Published in Kanada

Sot (02.06.2022) u zhvilluan zgjedhjet provinciale në Ontario, provincën më të populluar të Kanadasë dhe ashtu siç e kishin paralajmëruar sondazhet, Kryeministri Progresist Konservator Doug Ford ka fituar bindshëm mandatin e dytë radhazi. Ai ka arritur të sigurojë jo vetëm mazhorancën për të qeverisur i vetëm (63 është pragu minimal i shumicës në parlamentin me 124 vende të Ontarios), por ka arritur të fitojë 7 mandate më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2018, kur u zgjodh për herë të pare vetëm pak muaj pasi pat marrë drejtimin e Partisë Progresiste Konservatore, të cilën e riktheu në pushtet pas 15 vjetësh.

Me gati 41% të votave, Konservatorët e Ontario-s do kenë gjithsej 83 deputetë. Ndërkohë rënie të ndjeshme ka pësuar Partia e Re Demokratike, e cila nga 40 deputetë që pati në legjislaturën e kaluar, sot mori 31 deputetë dhe 23.7% të votave. Liberalët mbeten sërish të humburit e mëdhenj duke mos arritur sërish pragun minimal prej 12 deputetësh, për t’u konsideruar zyrtarisht si partia e dytë opozitare në Parlamentin e Ontarios. Ata kanë mundur të fitojnë vetëm 8 zona, 1 më shumë se para 4 vjetësh dhe 23.8% të votave. Kujtojmë që sistemi i zgjedhjeve në Ontario, sikurse në gjithë Kanadanë, është mazhoritar me një tur, pra zgjidhet deputet ai që merr më shumë vota në zonën ku kandidon.

Pas deklarimit të rezultateve paraprake, liderja e Neodemokratëve Andrea Horwath dhe ai i Liberaleve Steven Del Duca kanë deklaruar dorëheqjet respektive. Ky i fundit nuk ka arritur as të zgjidhet deputet në një nga zonat elektorale të Torontos ku kandidonte. Nga ana e tij, lideri i Green Parti Mike Schrenier është rizgjedhur për here të dytë deputet në Guelph. Për herë të pare qysh nga viti 1995, në Legjislativin e Ontarios është zgjedhur dhe një deputete e pavarur, Bobbi Ann Brady, në zonën Haldimand-Norfolk.

Zgjedhjet e sotme u zhvilluan në mbi 7000 qendra votimi nga ora 09:00 deri në 21:00, proces në të cilin u angazhuan rreth 55,000 vetë. Rezultatet përfundimtare dolën në më pak se 3 orë Në listat e zgjedhësve ishin të regjistruar 10 752,406 qytetarë, nga të cilët rreth 9,92% (1 066,500) e ushtruan të drejtën e votës paraprakisht. Pjesëmarrja totale në këto zgjedhje ka qenë rreth 43.4%, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2018 paten votuar 56.7% e zgjedhësve.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada