Gara për kreun e Konservatorëve Kanadezë, dy deputetë braktisin Brown për Poilievre
- Published in Kanada
Nga sot (07.06.22) dy deputetë federalë të Ontario-s kanë vendosur të ndryshojnë pozicionim në raport me garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Konservatore Kanadeze. Duke argumentuar vendimin e tyre me rëndësinë e unifikimit të partisë, deputeti i Flamborough-Glanbrook, Dan Muys dhe kolegu i tij i Dufferin-Caledon, Kyle Seeback e tërhoqën mbështetjen e tyre ndaj kryetarit të bashkisë Brampton, Patrick Brown, në favor të të cilit ishin deklaruar në muajin mars. Përfundimisht ata kanë vendosur t’i bashkohen kampin që mbështet favoritin e garës, deputetin e Ottawa dhe ish-ministrin e qeverise Harper, Pierre Poilievre.
Dy deputetët kanë deklaruar se ata besojnë që Pierre Polievre është kandidati i cili mund të ribashkojë më mire militantët e Partisë Konservatore të Kanadasë përballë Liberalëve të Kryeministrit Justin Trudeau.
Me vendimin e sotëm, Patrick Brown i mbeten vetëm 2 deputetë federalë që e mbështesin, ndërsa numri i deputetëve të kampit Poilievre shkon në 55. Tashmë që regjistrimi i anëtarëve të rinj ka përfunduar, gara për kandidatët vazhdon në terren, për të bindur votuesit brenda partisë, në një proces, rezultati i të cilit do njihet më 10 shtator.
©Flasshqip.ca
Foto: The Canadian Press/Ryan Remiorz