Kanada

Ottawa - Policia evakuon për disa orë zonën rreth Parlamentit Federal

  • Published in Kanada

Policia e kryeqytetit federal Ottawa, bëri të ditur sot (11.06) gjatë pasdites, rreth ores 16:00, përfundimin e një operacioni evakuimi rreth godinës së Parlamentit Federal “për shkak të një kërcënimi të mundshëm”, sipas informacioneve që u ishin përcjellë shërbimeve të saj. Në komunikatën përkatëse, thuhej se janë identifikuar dy persona dhe dy automjete lidhur me këtë ngjarje, por pa specifikuar nëse ka patur apo jo ndalim të tyre. “Pas konfirmimit që nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë publike godina rihapet për publikun”, përfundonte njoftimi në Twitter.

Sipas CBC, rreth orës 17:00, ende nuk dihej më shumë për arsyet që e nxitën policinë të kryente këtë operacion të gjerë si dhe natyrën e këtij kërcënimi të mundshëm. Në mbrëmje vonë, TVA Montréal ka dhënë si version alarmin për vendosjen e një bombe që më pas ka rezultuar i rremë.

Diku pas mesditës, për gati tre orë, u vendos një perimetër i fortë sigurie përpara Parliament Hill. Policia e Ottawa dhe oficerët e Shërbimit Mbrojtës Parlamentar me automjetet e tyre bllokuan hyrjen në rrugën Wellington midis rrugëve Elgin dhe Bronson, po ashtu edhe në rrugën Metcalfe midis rrugëve Albert dhe Slater.

Përmes njoftimeve në Twitter, Shërbimi Policor i kryeqytetit u kërkoi qytetarëve të shmangin zonën duke shpjeguar se po kryhej një hetim lidhur me një incident të dyshimtë. Rreth parlamentit u panë oficerë policie me armatim të rëndë, ndërsa punonjësit që ishin prezent brenda zonës parlamentare morën një email ku komunikohej urdhëri përkatës, sipas të cilit askush nuk mund të hynte apo të dilte më nga ndërtesat dhe njoftohej që zona e Parliament Hill ishte evakuuar.

Nga ana e tij, kryeministri Justin Trudeau nuk ndodhej sot në Ottawa për shkak të pjesëmarrjes në “Forumin e Amerikave” në Los Angeles nga ku është nisur për t’u kthyer në Kanada sot pasdite. Po kështu, në fundjavë, thuajse të gjithë deputetët shkojnë në zonat e tyre zgjedhore dhe sipas njoftimit të CBC, shumë pak prej tyre ndodheshin sot në godinën e Parlamentit Federal.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Alexander Behne; The Canadian Presse/Patrick Doyle