Kanada

Toronto e Vancouver përzgjidhen nga FIFA për ndeshjet e Kupës së Botës 2026 në futboll

  • Published in Kanada

Ndërmjet 16 qyteteve të Amerikës së Veriut që do të jenë mikpritës të Kupës së Botës në futboll, edicioni 2026, FIFA ka përzgjedhur dhe dy metropolet kanadeze, Toronto e Vancouver. Pa dyshim ky është një lajm shumë i gëzueshëm për të gjithë amatorët e futbollit në Kanada, të cilët do kenë mundësi të shohin drejtperdrejt në fushën e blertë disa prej lojtarëve më të mirë të planetit.  

Qytetet e tjerë pritës do të jenë 11 nga SHBA dhe pikërisht Seattle, San Francisco, Los Angeles, Kansas City, Dallas, Atlanta, Houston, Boston, Philadelphia, Miami dhe New York dhe tre nga Meksika, Monterrey, Mexico City dhe Guadalajara.

Kësisoj, shumica e ndeshjeve të Kupës së Botës do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara duke përfshirë të gjitha ndeshjet nga faza e çerekfinaleve e më pas, ndërsa në Toronto dhe Vancouver do zhvillohen gjithsej dhjetë ndeshje.

BMO Field Toronto

Kryebashkiaku i Torontos, John Tory e pat mbështetur me shumë entuziazëm kandidimin e “qytetit mbretëror” qysh në vitin 2018 kur u mor ftesa nga FIFA. Siç dihet, në stadiumin e Torontos, BMO Field, janë zhvilluar deri tani shumë ndeshje miqësore dhe kualifikuese për Kupën e Botës 2022, për ekipet kombëtare të meshkujve dhe femrave. Ndërkohë, në Vancouver janë zhvilluar 9 ndeshje të Kupës së Botës për Femra 2015, ku kanë qenë të pranishëm mbi 50,000 spektatorë.

Për të përmbushur kriteret e FIFA-s, stadiumi BC Place në Vancouver do duhet të zëvendësojë fushën e barit artificial me bar natyral, ndërsa në Toronto, BMO Field do t’i shtohen ulëse të përkohshme në mënyrë që të arrihet kapaciteti 40,000 spektatorë, edhe kjo kërkesë e FIFA-s. Kapaciteti aktual i BMO Field është 30,000 vende.

“Nuk ka turne më të madh sportiv në planet dhe kjo do të jetë një mundësi për të mirëpritur njerëz nga e gjithë bota, e për të treguar gjithçka që qyteti ynë ka për të ofruar ndaj një audience ndërkombëtare”, ka deklaruar kryebashkiaku i Torontos John Tory.

BC Place Vancouver

Sipas një raporti të Bashkisë Toronto, i publikuar në mars të këtij viti, ndikimi ekonomik i Kupës së Botës në ekonominë lokale është përllogaritur të jetë 307 milionë dollarë. Raporti parashikonte gjithashtu krijimin e 3300 vendeve të punës dhe ardhjen e 174,000 turistëve.

Kostot për zhvillimin e pesë ndeshjeve vlerësohen të jenë 290 milionë dollarë, nga të cilat dy të tretat e faturës do përballohen nga qeveria e Ontarios dhe qeveria federale. Nga ana e saj Bashkia Toronto do kontribuojë me rreth 73.8 milionë dollarë.

Ndërkohë duhet kujtuar që Vancouver fillimisht e kishte tërhequr emrin nga lista paraprake e ofertave në përgjigje të ftesës së ardhur nga FIFA në vitin 2018. Metropoli i British Columbia e riparaqiti ofertën e vet pas tërheqjes së Bashkisë Montréal nga kandidimi, për shkak të refuzimit për ta mbështetur financiarisht nga ana e qeverisë provinciale të Québec.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: BC Place/CBC/The Canadian Press-Chris Young