Kanada

Gjenerali me origjinë autoktone Jocelyn Paul emërohet në krye të Ushtrisë Kanadeze

  • Published in Kanada

Jocelyn Paul, me gradën gjeneral-lejtënant sapo është ëmëruar në detyrën e Komandantit të Ushtrisë Kanadeze. Gjenerali 58 vjeçar Paul, me origjinë nga komuniteti autokton Huron-Wendat i rezervës Wendake (periferi e Québec City), është një ushtarak karriere që ka shërbyer ndër të tjera edhe si zëvendëskomandant i Forcave Aleate të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Napoli, Itali. Ai ka drejtuar gjithashtu një kontigjent të madh ushtarësh, rreth 13,000, në një nga zonat më të rrezikshme në Afganistan, Kandahar, nga prilli deri në tetor 2009.

Gjeneral-lejtnant Paul, i cili pason në rolin e komandantit gjeneral-majorin Michel-Henri St-Louis, në një komunikim me gazetarët pas marrjes së detyrës ka deklaruar se do të ishte shumë i lumtur dhe se do të ndihej se e kish kryer si duhet misionin, nëse shembulli i tij do të frymëzojë dhe nxisë më shumë të rinjtë nga popujt autoktonë të angazhohen drejpërdrejt për të kontribuar në radhët e Forcave të Armatosura Kanadeze.

Jocelyn Paul u regjistrua si rezervist në Regjimentin “Saguenay” në vitin 1988. Ai zgjodhi këtë bazë ushtarake sepse në të njëjtën kohë ai po ndiqte studimet për Histori në Universitetin e Québec në Chicoutimi. Më pas, në Montreal ai kreu një master në Antropologji dhe iu bashkua Regjimentit "De Maisonneuve".

Emërimi i gjeneralit Paul u bë në momentet e një konteksti jo pak të trazuar për Ushtrinë Kanadeze, e kritikuar ashpër në një raport të hartuar nga ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Louise Arbor, lidhur me trajtimin e ankesave për ngacmim seksual nga ana e organeve kompetente ushtarake.

Ushtria Kanadeze ka aktualisht një efektiv me kohë të plotë prej 23,500 ushtarësh dhe 3,000 punonjësish civilë, pa llogaritur ushtarët rezervë dhe Rangers që patrullojnë, në pjesën më të madhe, në rajonet veriore të Kanadasë.

Për herë të parë në historinë e Kanadasë, në krye të ushtrisë janë dy kanadezë me origjinë autoktone, Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, mëkëmbëse e Mbretëreshës Elizabeth II dhe komandante supreme, e tani bashkë me të edhe gjenerali Jocelyn Paul, në rolin e komandantit ushtarak. Bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Wayne Eyre, ata janë trekendëshi drejtues i komandës së Forcave të Armatosura Kanadeze.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Patrick Doyle/Forcat e Armatosura Kanadeze