Kanada

Turbinat e Gazprom: Ambasadorja kanadeze në Kiev thirret në Ministrinë e Jashtme

  • Published in Kanada

Ambasadorja e Kanadasë në Ukrainë, Larisa Galadza, u thirr sot (11.07) për shpjegime në Ministrinë e Jashtme ukrainase në Kiev.

Sipas njoftimit të presidentit Volodymyr Zelensky, arsyeja e kësaj thirrjeje ishte “veprimi i papranueshëm i Kanadasë që ka lejuar kthimin në Gjermani të turbinave për gazsjellësin rus Nord Stream”. Për Zelensky-n, ky përjashtim nga regjimi i sanksioneve do të perceptohet nga Moska si shenjë dobësie e aleatëve perëndimorë.

Gjatë fundjavës, Kanadaja ra dakord të dorëzojë turbinat e nevojshme për funksionimin e gazsjellësit Nord Stream 1 në Gjermani, pavarësisht sanksioneve të vendosura kundër Rusisë dhe kundërshtimit nga Ukraina. Turbinat po i nënshtroheshin remontit kapital në një uzinë në pronësi të grupit gjerman Siemens në Montréal. Ndërkohe Rusia kishte sjellë si argument mungesën e tyre për reduktimin e furnizimit me gaz të Gjermanisë. Qeveria gjermane, nga ana e saj, prej disa javësh ishte në kontakt intensiv me qeverinë kanadeze për të garantuar kthimin e pajisjeve në fjalë në Evropë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: CBC/Radio-Canada