Kanada

Marina luftarake kanadeze dhe aleatët nisin manovrat në zonën e Arktikut

  • Published in Kanada

Marina Mbretërore Kanadeze filloi të martën (02.08) dislokimin e mjeteve luftarake të saj në zonën e oqeanit Arktik në kuadrin e manovrave të Operacionit Nanook që do të zgjasë gjashtë javë. Sipas CBC/Radio-Canada, ky operacion synon të forcojë bashkëpunimin mes aleatëve të NATO-s dhe në të njëjtën kohë t'i japë mesazhin Rusisë se Kanadaja dhe Aleanca zotërojnë të gjithë kapacitetet për të qenë prezent në këtë rajon të globit dhe për të mbrojtur sovranitetin e tij.

Këto lloj manovrash organizohen qysh prej vitit 2007 nga Marina Kanadeze, por sivjet, raportet e tensionuara me Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë, i japin Operacionit Nanook një rëndësi krejt të ndryshme nga herët e tjera. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar të dielën e kaluar se aktualisht ka synim të forcojë pozicionin e Rusisë në Arktik, komercialisht dhe ushtarakisht.

Nga ana e tyre anijet luftarake kanadeze që u nisën nga Halifax dhe që do shoqërohen për këtë mision mbikqyrjeje nga anije amerikane, franceze, britanike dhe daneze, fillimisht do kalojnë nga Newfoundland dhe Labrador e më pas do drejtohen për në Arktik nëpërmjet Nuuk dhe Groenlandës.

Në mars të këtij viti, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Kanadeze, gjenerali Wayne Eyre, deklaroi që nuk ishte diçka e paimagjinueshme që sovraniteti i Kanadasë të mund të sfidohej në Veri. Kërcënimi i një inkursioni rus në Arktikun e Kanadasë është shumë i ulët për momentin, pati thënë ai në atë kohë, por sipas ekspertëve, ky rajon është gati i pambrojtur për shkak të popullsisë së tij të vogël dhe mungesës së infrastrukturës.

Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s kanë qenë në kulmin e tyre muajt e fundit, madje në mars, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) organizoi gjithashtu një stërvitje luftarake në Arktik.

Ndërkohë, Moska i ka paraqitur një kërkesë Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Kufijtë e Shelfit Kontinental në prill 2021. Nëse OKB-ja jep miratimin e saj, Rusia do t'i afrohet zonës ekskluzive ekonomike të Kanadasë, e cila shtrihet 200 milje detare nga bregu i saj.

Aktualisht, përmes Operacionit Nanook, Kanadaja dhe aleatët e saj po kërkojnë të demostrojnë aftësinë e tyre për të ndërhyrë në këtë territor, por edhe për të mbrojtur kanalin Veriperëndimor, kontrolli i të cilit pretendohet nga Shtetet e Bashkuara.

Arktiku është rajoni që rrethon Polin e Veriut, brenda dhe në kufijtë e Rrethit Polar. Kjo zonë përfshin tetë vende që kufizohen me Oqeanin Arktik, përkatësisht: Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara (me Alaskën), Kanadanë, Danimarkën (me Groenlandën) dhe Islandën. Këto tetë vende formojnë gjithashtu Këshillin Arktik.

©Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio Canada