Kanada

Inflacion apo recesion? Québec drejt zgjedhjeve - Nga Gérald Fillion

  • Published in Kanada

Gérald Fillion - Analist ekonomik i Radio-Canada

Në prag të fushatës për zgjedhjet e 3 tetorit që do nisë të dielën në Québec, shqetësimi kryesor i banorëve të provincës është rritja e kostos së jetesës. Në të njëjtën kohë, shenjat e një ngadalësimi ekonomik janë të dukshme. Një formacion politik që i shpërfill këto çështje mund ta paguajë shtrenjtë çmimin. Pyetja që shtrohet është: pas inflacionit, a do të zhytet Québec në recesion?

Shqetësimi më i madh këto ditë është nëse inflacioni dhe rritja e normave të interesit të bankës qendrore do të shkaktojnë apo jo tkurrjen e ekonomisë.

Rreth 55% e qytetarëve të pyetur në një anketim nga Këshilli i Shitjeve me Pakicë në Québec (CQCD) mendojnë se në Québec në fund të vitit 2022 do të fillojë recesioni. Sipas Barometrit të CQCD, 7 persona në 10 besojnë se çmimet e konsumit do të vazhdojnë të rriten në 12 muajt e ardhshëm. Ky barometër bazohet në një anketim të kryer në qershor me 1000 konsumatorë, në bashkëpunim me firmën Orama Marketing.

Sipas një sondazhi tjetër, të kryer online me 2279 qytetarë kanadezë nga Angus Reid, nga data 8 deri më 10 gusht, 56% e familjeve kanadeze deklarojnë se e kanë të vështirë të adaptohen financiarisht me ritmin e inflacionit. Në Québec këtë përgjigje e kanë dhënë 41% e të anketuarve, ndërsa rreth 80% e familjeve kanadeze dhe 70% e familjeve në Québec, pohuan se po reduktojnë shpenzimet e tyre për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Një ngadalësim i dukshëm

Sipas Desjardins, deri në fund të vitit Québec do shkojë drejt “një ngadalësimi të ndjeshëm të rritjes reale të PBB-së”. Këtë e vuri në dukje ekonomistja Hélène Bégin në një shënim të botuar më 29 korrik, duke deklaruar se Indeksi paralajmërues i Desjardins tregon se ka shenja që ekonomia e Québec po tkurret.

Ekonomistët e Desjardins vlerësojnë se probabiliteti i një recesioni gjatë vitit 2023 në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara është rreth 50%. Madje ata mendojnë se mundësitë janë më të mëdha në Kanada, për shkak të peshës së sektorit të energjisë në Produktin e Brendshëm Bruto (GDP).

Nga ana e tij, ekonomisti Randall Bartlett, më 14 korrik pohonte që “për shkak të një rritjeje më të ulët të PBB-së reale tremujore që pritet në vitin 2023, Kanadaja mund të jetë më e prirur sesa Shtetet e Bashkuara të rrëshqasë drejt recesionit. Ekonomia kanadeze është gjithashtu shumë më e ndjeshme ndaj rritjes së normave të interesit sesa fqinji përtej kufirit jugor, për shkak të nivelit të lartë të borxhit të familjeve”.

Sipas ministrit të Financave të Québec, Eric Girard, risku i një recesioni në Québec llogaritet në probabilitetin 35%, ndërsa CEO i Caisse de Dépôt et Placement du Quebec (grup investitor që menaxhon disa plane pensionesh publike dhe parapublike dhe programe sigurimesh në Québec), Charles Émond, në intervistën e dhënë në 17 gusht deklaroi se probabiliteti i recesionit mund të jetë 40%.

“Jemi në një stuhi perfekte”, mendon ekonomisti David Dupuis, i intervistuar në episodin 139 të podcast-it “Çështje me interes”, në aplikacionin Ohdio të Radio-Canada, sipas të cilit “ndërsa inflacioni pa kalonte shifrën 5% në fillim të vitit, shpërthimi i luftës në Ukrainë provokoi rritjen e kostos së jetesës, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe mallrave ushqimore [...] Ka vite që nuk kemi parë nivele të papunësisë si aktualisht, që do të thotë se ka shumë hapësirë ​​për negocimin e pagave nga ana e punonjësve [...] Dhe në një kontekst si ky, ku spiralja e famshme paga-çmim vazhdon ngjitjen, rreziku rritet. Duhen kontrolluar pritshmëritë e inflacionit dhe nëse kjo nuk arrihet, rritja e normave të interesit, e nevojshme për të ngadalësuar aktivitetin ekonomik do të jetë shumë më e madhe. Dhe kësisoj, kjo mund ta çojë ekonominë drejt një frenimi, më të theksuar se sa dëshirohet… pra në recesion”.

Bankat kanadeze po përgatiten për më të keqen

Një sinjal tjetër shumë i qartë se ekonomia po ngadalësohet dhe se një recesion është i mundshëm, është fakti që bankat kryesore kanadeze kanë deklaruar ulje të fitimit gjatë ditëve të fundit, sepse po u duhet të heqin para mënjanë paraprakisht, për të përballuar një situatë uljeje arkëtimesh nga kreditorët.

CEO i National Bank, Laurent Ferreira, beson se rreziku i recesionit është rritur në Kanada javët e fundit. Megjithatë, ai pret një ngadalësim të rritjes dhe jo një tkurrje, gjë që ende e shtyn bankën e tij të rrisë rezervat për ato që quhen borxhet e këqija. Për t'u përgatitur për humbjet e mundshme të kredivë, National Bank hoqi mënjanë 57 milionë dollarë në tremujorin e tretë. Ndërsa nga Royal Bank of Canada, parashikohet një recesion i moderuar në vitin 2023 në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe zonën e euros, shoqëruar me rritje të papunësisë. Për këtë qëllim, Royal ka hequr mënjanë 340 milionë dollarë si rezervë për përballimin e uljes së arkëtimeve nga kreditorët. Ndërkohë, prej gjashtë muajsh, letrat bankare me vlerë janë ulur 10 deri në 12%.

Çfarë është recesioni ekonomik?

Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike të SHBA është entiteti që përcakton se kur fqinji jugor ndodhet në situatë recesioni. Ky institucion e bazon analizën e vet në një seri të dhënash për të përcaktuar nëse ka apo jo recesion dhe sa zgjat cikli. Kështu, një situatë recesioni ndodh kur ka një rënie të ndjeshme të aktivitetit ekonomik që shtrihet në të gjithë ekonominë dhe zgjat të paktën disa muaj. Byroja e sipërpërmendur e bën vlerësimin e saj bazuar në tre kritere: thellësia e rënies, shtrirja dhe kohëzgjatja e saj.

Pra kuptohet, që për të paralajmëruar një situatë recesioni, duhet konstatuar një ngadalësim i tregut të punës, rritje e ngadalësuar e të ardhurave, ndryshim në sjelljen e konsumatorëve dhe një rritje e përkujdesjes ndaj shpenzimeve nga familjet.

Tani për tani, në Kanada, kemi filluar të shohim se konsumi po ngadalësohet. Shitjet me pakicë u rritën 1.1% në të gjithë vendin në qershor, por vetëm 0.4% në Québec. Rritja ekonomike i atribuohet kryesisht inflacionit, pra faktit që çmimet janë më të larta.

Sipas Statistics Canada, vlerësimet paraprake për muajin korrik paralajmërojnë një rënie të shitjeve me pakicë prej rreth 2% në të gjithë vendin. Konsumi përfaqëson më shumë se 60% të ekonomisë dhe indeksi i besimit të konsumatorit ka rënë ndjeshëm që nga tetori 2021 në Kanada.

Për më tepër, krijimi i vendeve të reja të punës është frenuar që nga dimri i kaluar, me një trend negativ. Nga maji në korrik, numri i vendeve të punës në Kanada u reduktua me 74,000. Në Québec, kjo rënie filloi pak më herët. Nga marsi në korrik, numri i vendeve të punës ra me 53,000. Nuk duket se është shumë, por tendenca është në rënie.

E gjitha kjo për të thënë se recesioni edhe mund të shmanget, por sigurisht do të ishte pa vend që të minimizohet ose injorohet mundësia e një tkurrjeje ekonomike. Nëse politikanët e nënvlerësojnë këtë, është e sigurt që qytetarët, të shqetësuar nga rritja e çmimit të karburantit dhe ushqimeve, nuk do ta harrojnë këtë fakt.

Burimi: Radio-Canada, 25 gusht 2022

Fotot: Getty Images/Istockphoto/Yingko, Radio-Canada

Shqipëroi nga frengjishtja Flasshqip.ca

*Gérald Fillion është gazetar i specializuar në ekonomi dhe drejtues i programit Zone Économie. Ai shkruan rregullisht rreth çështjeve kryesore ekonomike, qofshin ato lokale, kombëtare apo ndërkombëtare.