Dhuna me armë në Montréal: Qeveria i jep 250 milionë dollarë shtesë Policisë
- Published in Kanada
Vetëm një ditë para dekretimi të zgjedhjeve parlamentare të 3 tetorit, në të cilat kryeministri në detyrë François Legault synon të rimandatohet, qeveria e Québec njoftoi sot zhbllokimin e një fondi shtesë prej 250 milionë dollarësh, që sipas saj do të shpenzohet gradualisht gjatë pesë viteve të ardhshme, "për të luftuar më me efikasitet dhunën me armë në territorin e Bashkisë Montréal". Në krah të kryebashkiakes Valérie Plante, njoftimin e bëri gjatë një konference për shtyp sot pasdite (27.08) zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Rendit Publik, Geneviève Guilbault, e cila shoqërohej nga Ministrja përgjegjëse për Metropolin dhe rajonin e Montréal, Chantal Rouleau.
Ministrja e Rendit Publik Guilbault, pohoi se me këtë gjest gjest, autoritetet përgjegjëse po japin mesazhin se janë “të vendosur dhe në një mëndje”, për të përforcuar praninë e Policisë në territorin e Montréal ku “dhuna me armë është bërë një problem i vazhdueshëm dhe po përhapet. Kjo s’mund të tolerohet më, sepse qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe po ndihen gjithnjë e më të pasigurtë”, theksoi ajo, duke kujtuar dhe rastin e fundit të të martës së kaluar, kur në mes të ditës, në harkun e 30 minutave, dy persona humbën jetën në Montréal, pas ekzekutimit me armë zjarri.
Shuma e lartpërmendur do të mundësojë, nga njëra anë punësimin e 225 policëve shtesë nga Shërbimi Policor i Bashkisë Montréal dhe po kaq të tillë në radhët e Policisë Provinciale (efektivat që mbulojnë Montréal). Synimi është rritja e vizibilitetit të forcave të rendit në terren në territorin e metropolit frankofon, çka nga një anë dekurajon delikuentët dhe nga ana tjetër rrit ndjenjën e sigurisë tek qytetarët.
Po kështu, për këtë qëllim, nga fondi i deklaruar sot, një shumë prej 5 milionë dollarësh në vit, gjatë 5 viteve të ardhshme, do të përdoret gjithashtu për të punësuar 50 punonjës socialë, për të lehtësuar oficerët e policisë nga detyra të ndryshme që lidhen me persona që kanë probleme të shëndetit mendor, të pastrehët dhe ata me varësi nga droga.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Graham Hughes