Radio-Kanada: Mihail Gorbaçov, rusi i paqes, nuk është më
- Published in Kanada
Me këtë titull media shtetërore kanadeze e ka bërë sot (30.08) publik lajmin se udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare në Rusi, duke iu referuar komunikatës zyrtare të Spitalit Klinik Qëndror të Rusisë, të cituar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.
I lindur sovjetik dhe i vdekur rus, Mihail Gorbaçovi, ish-presidenti i BRSS, ishte njeriu i Perestrojkës dhe Glasnostit, që kujtohet sot nga Perëndimi për faktin se e mbylli Luftën e Ftohtë pa gjakderdhje, ndërsa në vendin e tij u kritikua nga kundërshtarët (madje u përball dhe me një puç ushtarak të cilit i kushtoi dhe një libër) për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991. Gorbaçovi hyri në marrëveshje për kontrollin e armëve me Shtetet e Bashkuara dhe partneritet me fuqitë perëndimore për të hequr perden e hekurt që ndante Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, duke lejuar ribashkimin të Gjermanisë, ngjarje që i dhanë atij Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1990.
Zëdhënësi i Kremlinit, i cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, deklaroi se Presidenti rus Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij të thella me ketë rast, ndërsa sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Gorbaçovi do të varroset pranë bashkëshortes së tij Raisa (e cila vdiq në vitin 1999), në varrezat Novodeviç në Moskë.

Credit Getty Immages/Vasily Maximov
Kur u organizuan demonstratat pro-demokracisë në disa vende të BRSS në fund të viteve 1980, Mihail Gorbaçovi vendosi të mos përdorë dhunën, ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit, që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe në Çekosllovaki në 1968. Pasi u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, në moshën 54-vjeçare, Gorbaçovi nisi reformat - të njohura si Perestrojka dhe Glasnost - që përshpejtuan rënien e BRSS. Shumë rusë nuk ia kanë falur kurrë këtë akt atij, duke besuar se rënia e standardit të tyre të jetesës, ishte një çmim shumë i lartë për t’u paguar për demokracinë.
Ja dhe një vështrim restrospektiv me 10 momente kyçe nga jeta e Mihail Gorbaçov, sipas Radio-Kanada:
2 mars 1931, lindja
Mihail Gorbaçovi lindi në fshatin Privolnoye, afër Stavropolit, në Kaukazin e Veriut, në një familje bujqish. Vitet e hershme i kaloi në fermën kolektive, ku babai i vet, drejtues makinerish bujqësore, i mësoi bazat e punës së tij.

Gorbaçovi me gjyshërit, Pantelei et Vasilisa - Credit Fondacioni Gorbaçov
1970, ngritja në karrierë brenda Partisë Komuniste
Pasi u diplomua jurist në Universitetin e Moskës në vitin 1955, ai u kthye në Stavropol dhe filloi ngjitjen në karrierë brenda Partisë Komuniste Sovjetike, fillimisht në organizatën e të rinjve, Komsomol, pastaj në strukturat lokale të partisë, duke u bërë, në vitin 1970, Sekretari i Parë i Komitetit Rajonal të Stavropolit.

Gorbaçovi (djathtas) duke shoqëruar një delegacioni nga Moska gjatë një vizite në Stavropol, 10 qershor 1966 - Credit AFP
11 mars 1985, apogjeu
Pas vdekjes së liderit sovjetik Juri Andropov (1914-1984) dhe pasardhësit të tij, Konstandin Çernjenko (1911-1985), Gorbaçovi u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në moshën 54-vjeçare, lideri më i ri që BRSS ka njohur që nga Stalini.

Credit AFP/Getty Images
1987-1988, Perestroika dhe Glasnost
Sapo u zgjodh, Gorbaçovi nisi reformimin e sistemit sovjetik duke zbatuar një politikë të ristrukturimit ekonomik (Perestrojka) dhe duke lejuar liri më të madhe të shprehjes (Glasnost). Me synimin për të përmirësuar situatën ekonomike të BRSS, ai reduktoi dukshëm shpenzimet ushtarake dhe kufizoi angazhimet ndërkombëtare, si për shembull tërhoqi trupat nga Afganistani dhe nuk mbështeti më regjimet komuniste, duke përfshirë Kubën dhe republikat sovjetike të Evropës. Në këtë mënyrë, ai hapi portat e protestës në të gjithë botën sovjetike.

Manifestim në Vilnius, 10 janar 1990, në mbështetje të pavarësisë së Lituanisë. Mbi pankarta lexohet: “Lituania e lire garantohet nga Perestroika” - Credit Vitaly Armand/AFP/Getty Images
8 dhjetor 1987, Traktati mbi armët bërthamore me rreze të mesme
Gorbaçovi shkoi në Uashington për të nënshkruar me presidentin amerikan, Ronald Regan, një marrëveshje çarmatimi që detyronte shtetet e tyre përkatëse të shkatërronin të gjitha raketat e tyre balistike dhe të lundrimit me rreze veprimi nga 500 deri në 5500 kilometra. Traktati gjithashtu parashikonte inspektime për të monitoruar zbatimin e tij. Kjo ishte arritja më e madhe pas serisë së takimeve me presidentin Regan, që nisën qysh kur Gorbaçovi mori drejtimin e BRSS.

Mihail Gorbaçov dhe Ronald Regan - Credit Reuters
15 maj 1988, tërheqja nga Afganistani
Ky ishte fillimi i tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani. Rreth 120,000 forca kishin 10 muaj afat për t’u larguar nga vendi ku hynë në dhjetor 1979, gjoja në mbështetje të regjimit komunist. Kjo luftë shkaktoi 13,310 të vrarë, 35,478 të plagosur dhe 311 të zhdukur nga pala sovjetike.

Credit Richard Ellis/Reuters
14 mars 1990, president i BRSS
Mihail Gorbaçov u zgjodh president nga Kongresi i deputetëve të popullit të BRSS. I krijuar më 1989, Parlamenti i ri sovjetik trashëgoi shumë nga pushtetet që kishte Partia Komuniste. Ky është një efekt tjetër i Glasnostit, i cili ndryshon rrënjësisht strukturën politike të BRSS duke vendosur një demokraci përfaqësuese.

Credit Vitaly Armand/AFP/Getty Images
15 tetor 1990, çmimi Nobel për Paqe
Mihail Gorbaç merr Çmimin Nobel për Paqen, për kontributin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë. Një vit më parë, Muri i Berlinit ra, duke sjellë me vete edhe shpërbërjen e bllokut komunist. Lideri sovjetik luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi politikat reformiste që ai zbatoi në BRSS i dhanë shtysë lëvizjeve protestuese në disa vende të Evropës Lindore. Duke refuzuar çdo ndërhyrje ushtarake për të frenuar protestat, ai lejoi rënien e perdes së hekurt Lindje-Perëndim pa gjakderdhje.

Credit Fabrizio Bensch/Reuters
25 dhjetori 1991, fundi i BRSS
Gorbaçovi jep dorëheqjen nga posti i Presidentit të Bashkimit Sovjetik pas një viti të vështirë dhe pas një tentativë grusht-shteti, që arriti për disa orë ta izolonte atë, ngjarje që solli ngjitjen në pushtet të kundërshtarit të tij, Boris Jelcin. Më 26 dhjetor, BRSS u shpërbë.

Credit Reuters
16 qershor 1996, dështimi si kandidat për president
Gorbaçovi kandidoi në zgjedhjet presidenciale, por fitoi më pak se 1% të votave. Shumë nga bashkëqytetarët e tij e konsideronin atë përgjegjës për rënien e Perandorisë Sovjetike. Ai vazhdoi të jetë aktiv në politikë, duke krijuar, në vitin 2008 edhe një parti politike bashkë me miliarderit Aleksandr Lebedev, me të cilin zotëronin edhe të përditshmen Novaya Gazeta.

Credit Yuri Kadobnov/AFP/Getty Images
Burimi: Radio-Canada
Përgatiti dhe përshtati në shqip: Flasshqip.ca
Foto kryesore: Mihail Gorbaçov në vitin 1990, credit AFP/Vitaly Armand












