Kanada

Masakra me thika në Saskatchewan: Zbulohen rekordet e shumta kriminale të Myles Sanderson

  • Published in Kanada

Dalin në dritë të dhëna të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Saskatchewan, që ka tronditur krejt Kanadanë prej ditës së diel. Sipas Radio-Canada, dokumente të Komisionit të Lirimeve me Kusht të Kanadasë (Parole Board of Canada) të shkurtit 2022, konfirmojnë se Myles Sanderson, i dyshuari i fundit, i kërkuar për masakrën e kryer me thika në territorin e komunitetit autokton James Smith Cree Nation, ka një të kaluar të errët me rekorde të shumta kriminale. Ai është dënuar plot 59 herë gjatë 20 viteve të fundit, i akuzuar ndër të tjera për agresion, agresion me armë, agresion ndaj një oficeri policie dhe vjedhje.

Dokumentet e sipërpërmendura, përshkruajnë gjithashtu që ai është përdorues i drogës dhe alkoolit, madje përdorimin e kokainës e ka filluar që në moshën 14 vjeçare. Po kështu, mësohet se prindërit e Myles Sanderson janë ndarë kur ai ishte 9 vjeç dhe mjedisi në të cilin ai u rrit është karakterizuar nga abuzimi fizik, dhuna në familje dhe paqëndrueshmëria.

Përmenden gjithashtu episode të dhunës ekstreme, përfshirë dhe një rast të ndodhur në vitin 2017, kur Myles Sanderson hyri me forcë në shtëpinë e ish-bashkëshortes së tij dhe theu derën e banjës, ndërkohë që fëmijët ishin fshehur në vaskë. Pasi pat dalë nga shtëpia, në furinë e tij të zemërimit ai kishte hedhur dhe një bllok çimentoje mbi xhamin e përparmë të një makine, ndërsa disa ditë më vonë, kishte kërcënuar me vdekje një person dhe djegur më pas shtëpinë e prindërve.

Në vitin 2018, Myles Sanderson goditi dhe plagoi me cfurk dy persona dhe rrahu një të tretë derisa e la pa ndjenja. Në qershor të të njëjtit vit, ai goditi në mënyrë të përsëritur me shkelma një oficer policie ndërkohë që ishte i arrestuar. Më pas ai u lirua me kusht në gusht 2021, por lirimi i tij u pezullua në nëntor për shkak se ai shkeli një nga kushtet. Pezullimi në fjalë rezulton që është anuluar rreth 6 muaj më parë, shkurtin e kaluar. Nga ana e saj, pa specifikuar date, Policia e Saskatoon ka konfirmuar se ai ishte shpallur sërish në kërkim pas muajit shkurt 2022, prej momentin kur ai nuk u paraqit më në takimin e detyruar periodik me oficerin e ngarkuar me ndjekjen e dosjen së tij.

Sipas Policisë Federale Kanadeze (RCMP), që po vazhdon me intensitet kërkimet, Myles Sanderson, 30 vjeç, mund të jetë në gjendje të plagosur. Duke e konsideruar si person shumë të rrezikshëm, RCMP deklaron që askush nuk duhet t'i afrohet atij.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Michael Bell, Toronto Star