Saskatchewan - Autoritetet publikojnë identitetin e 10 viktimave të sulmit me thika
- Published in Kanada
Mediat kanadeze kanë publikuar sot (07.09) emrat dhe moshën e viktimave të sulmit me thika të kryer nga vëllezërit Sanderson të dielën, më 4 shtator, në territorin e James Smith Cree Nation dhe fshatin Weldon, në provincën Saskatchewan. Identiteti i 10 fatkeqëve u komunikua fillimisht nga Zyra e Prokurorit të Saskatchewan dhe Seksioni i Policisë Federale Kanadeze (RCMP) në këtë provincë. Ja dhe emrat si më poshtë:
-Thomas Burns, 23 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Carol Burns, 46 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Gregory Burns, 28 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Lydia Gloria Burns, 61 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Bonnie Burns, 48 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Earl Burns, 66 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Lana Head, 49 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Christian Head, 54 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Robert Sanderson, 49 vjeç, nga James Smith Cree Nation
-Wesley Petterson, 78 vjeç, nga Weldon
RCMP nuk ka dhënë informacion nëse ka ndonjë lidhje midis viktimave. Po kështu, në komunikatën e saj për media Policia Federale Kanadeze bëri të ditur se nuk do të bëjë publik identitetin e të plagosurve. Ajo megjithatë konfirmoi se ata janë të gjithë në moshë madhore, me përjashtim të një adoleshenteje.

Familjet e të ndjerëve bashkëpunuan me autoritetet duke u vënë atyre në dispozicion fotot e njerëzve të tyre të dashur që humbën jetën të dielën e kaluar. Ndërkohë, i mbijetuari i vetëm nga dy të dyshuarit si autorë të masakrës me thika, Myles Sanderson, vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet e ligjit dhe rendit publik. Sipërfaqja shumë e madhe e Saskatchewan është një nga faktorët që e vështirëson këtë proces në të cilin janë angazhuar forca të shumta policore. Nga ana e tij, Ministri kanadez i Rendit Publik, Marko Mendicino, ka deklaruar që do ekzaminohet në detaje dosja e lirimit më kusht të Myles Sanderson.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada












