Kanada

Elisabeth II - Mbretërimi më i gjatë në historinë e Monarkisë Britanike dhe Kanadasë

  • Published in Kanada

8 shtator 2022. Lajmi kryesor dje në gjithë botën, ka qenë ndarja nga jeta e Mbretëreshës Britanike Elisabeth II. Kanadaja është monarki kushtetuese dhe Mbretëresha Elisabeth II ishte njëkohësisht edhe Kreu i Shtetit kanadez dhe Komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura Kanadeze. Siç dihet, në Kanada Kurora Britanike përfaqësohet nga Guvernatori i Përgjithshëm në nivel federal dhe nga Lejtenant-Guvernatori në nivel provincial.

Rrugëtimi i Elisabeth II në shumë aspekte ka qenë i jashtëzakonshëm. Nga Lufta e Dytë Botërore, kur shërbeu si mekanike dhe shofere kamioni ushtarak në ushtrinë e Mbetërisë së Bashkuar, deri në shembjen e Murit të Berlinit dhe bllokut Sovjetik, mbretërimi i saj është më i gjati në historinë e Monarkisë Britanike. Në kohën kur ajo u ngjit në fron, Lufta në Kore ishte në kulmin e saj, Stalini ishte ende duke sunduar Bashkimin Sovjetik dhe Britania e Madhe sapo kishte njoftuar se zotëronte bombën atomike.

Portret zyrtar (viti 2013) i Mbretëreshës Elizabeth II në Westminster Abbey (Getty Images/Peter Macdiarmid)

Elisabeth II jetoi 96 vjet dhe mbretëroi për 70 vjet. Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Princit Philip, Dukës së Edinburgut, një vit më parë në 9 prill, shëndeti i Monarkes u pa të përkeqësohej, qysh kur kaloi një natë në spital, për arsye që nuk u specifikuan. Më pas ajo u shfaq shumë rrallë në publik dhe delegoi pak nga pak një pjesë të detyrave tek djali i saj Charles, që tashmë trashëgoi fronin dhe do quhet Mbreti Charles III, e për rrjedhojë edhe Kreu i Shtetit dhe i ushtrisë kanadeze.

Kryeministri Trudeau sot para mediave me rastin e vdekjes së Elisabeth II (The Canadian Press/Darryl Dyck)

Me rastin e vdekjes së Mbretëreshës Elisabeth II, qeveria kanadeze shpalli një periudhë zie 10 ditore dhe do organizojë një ceremoni përkujtimore kombëtare, përfshi dhe një parade ushtarake. Gjatë kësaj periudhe zie, flamujt në të gjitha ndërtesat dhe institucionet federale do të jenë në gjysmështizë. Ceremonia do të zhvillohet në Katedralen e Kishës së Krishtit në Ottawa.

Zyra e Kryetarit të Dhomës Kanadeze të Komunave ka njoftuar gjithashtu që në nderim të kujtimit të Mbretëreshës Elisabeth II, Kulla e Paqes në Parliament Hill do ndriçohet në blu mbretërore dhe shifrat mbretërore do projektohen nga perëndimi i diellit deri në mesnatë gjatë gjithë periudhës së zisë kombëtare.

***

Një retrospektivë e shkurtër

 

21 prill 1926

Elisabeth Alexandra Mary, fëmijë, me nënën dhe gjyshen e saj më 1927 (AFP/The Royal Collection)

Lindja e Elisabeth Alexandra Mary në Londër. Ajo është vajza më e madhe e Dukës së Jorkut, Albert dhe Elisabeth Bowes-Lyon. Motra më e vogël e Elisabeth, Margaret, lindi në vitin 1930.

 

12 maj 1937

Princesha Elisabeth (e katërta nga e majta) gjatë kurorëzimit të babait të saj (AFP/Getty Images)

Elisabeth ishte 10 vjeç kur babai i saj u kurorëzua mbret me emrin George VI, pas abdikimit të vëllait të tij të madh. Eduardi VIII hoqi dorë nga froni në dhjetor 1936 për t'u martuar me një amerikane të divorcuar, Wallis Simpson. Ai kishte qenë mbret që nga vdekja e babait të tyre më pak se një vit më parë. Elisabeth bëhet kësisoj trashëgimtare e fronit.

 

20 nëntor 1947

Princesha Elisabeth dhe Princi Philip në dasmën e tyre (OFF/AFP/Getty Images)

Princesha Elisabeth u martua me Philip Mountbatten, Princ i Greqisë dhe Danimarkës, i cili më vonë mori titullin Duka i Edinburgut. Ceremonia krejt modeste, pasi vendi po rimëkëmbej nga lufta, zhvillohet në Westminster Abbey. Princeshës iu desh të grumbullonte kupona për të siguruar pëlhurën e fustanit të saj të nusërisë.

 

14 nëntor 1948

Princi Philip dhe Princesha Elisabeth me fëmijët Charles dhe Anne (Popperfoto/Getty Images)

Mbretëresha dhe Princi Philip sollën në jetë katër fëmijë: Charles, trashëgimtari i fronit britanik, lindi më 14 nëntor 1948 dhe Anne, më 15 gusht 1950. Princi Andrew lindi më 19 shkurt 1960, në periudhë mbretërimi të prindërve (hera e parë që kjo ndodhte prej vitit 1857), ndërsa Princi Edward lindi në vitin 1964.

 

2 qershor 1953

Mbretëresha Elisabeth II në ceremoninë e kurorëzimit (AFP/Getty Images)

Princesha Elisabeth ndodhej në një vizitë zyrtare në Kenia, duke zëvendësuar të atin e sëmurë, kur merr lajmin për vdekjen e tij më 6 shkurt 1952. Ajo ishte 25 vjeç. Kurorëzimi i saj, më 2 qershor 1953, u transmetua drejtpërdrejt në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani. Asnjë kurorëzimi nuk ishte transmetuar më parë. Në Britaninë e Madhe ceremonia u ndoq nga 20.4 milionë shikues.

 

14 tetor 1957

Mbretëresha Elisabeth II gjatë vizitës së pare zyrtare në Kanada më 1957 (Bibliothèque et Archives Canada)

Mbretëresha Elisabeth dhe Duka i Edinburgut e vizituan për herë të parë Kanadanë në vjeshtën e vitit 1957. Që nga ngjitja e saj në fron, ajo e vizitoi vendin 22 herë. Gjatë vizitës së saj të parë zyrtare, Elisabeth II hapi seancën e 23-të parlamentare në Dhomën e Komunave, duke folur krejt rrjedhshëm edhe në frengjisht, gjuhë që ajo e praktikoi gjithë jetën.

 

10 tetor 1964

Vizitat e Mbretëreshës në Kanada nuk kanë qenë gjithmonë idilike. Në vitin 1964, qëndrimi i saj në Québec u shoqërua me trazira dhe forcat policore e shtypën me dhunë një manifestim proteste. Ngjarja hyri në histori si Baton Saturday.

 

17 korrik 1976

Mbretëresha Elisabeth II dhe Princi Philip në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Montréal 1976  (The Canadian Press/Hayes)

E pranishme në një stadium krejt të ri, Mbretëresha shpalli të hapura Lojërat Olimpike Verore në Montréal, në cilësinë e saj si Kryetare e Shtetit. Në foto dallohen edhe Kryetari i Bashkisë Montréal, Jean Drapeau, si dhe kryeministri i Québec, Robert Bourassa, duke duartrokitur ardhjen e saj.

 

Vitet 80-të

Mbretëresha me Nelson Mandelën në Pallatin Buckingham (Reuters)

Që nga fillimi i mbretërimit të saj, Mbretëresha Elisabeth II i kushtoi shumë kohë rolit si kryetare e Commonwealth. Për dekada, çështja e aparteidit të Afrikës së Jugut dominoi takimet e aleancës. Gjatë viteve 1980, Kryeministri kanadez Brian Mulroney mbështeti sanksionet ekonomike kundër regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut. Pavarësisht politikës së Kryeministres britanike Margaret Thatcher, Mbretëresha mbështeti pozicionin e Kanadasë si dhe lirimin nga burgu të Presidentit të ardhshëm të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, në shkurt 1990.

 

17 prill 1982

Nënshkrimi i Kushtetutës kanadeze nga Mbretëresha Elisabeth II në Ottawa më 17 prill 1982, në prani të Kryeministrit Pierre Elliott Trudeau (The Canadian Press/Ron Poling)

Riatdhesimi i Kushtetutës në 1982 është një tjetër kapitull i dhimbshëm në marrëdhëniet midis Quebéc dhe Mbretëreshës Elisabeth II. Ligji Kushtetues i 1982 parashikon që çdo ndryshim si pasojë e akteve të Mbretëreshës, Guvernatorit të Përgjithshëm ose Lejtnant Guvernatorit të një province, duhet të marrë pëlqimin e të gjitha legjislaturave provinciale, përfshi Senatin dhe Dhomën e Komunave.

 

24 nëntor 1992

Mbretëresha Elisabeth II duke folur me zjarrfikësit kur ra zjarri në Kështjellën Windsor (STR/Reuters)

1992 ishte një vit i vështirë për Mbretëreshën dhe për Monarkinë. Në një fjalim të paharrueshëm në Londër më 24 nëntor, Elisabeth II e quajti atë një “annus horribilis”. Atë vit, dy nga djemtë e saj u ndanë nga bashkëshortet, ndërsa vajza u divorcua. Përveç kësaj, Kështjella Windsor pësoi dëme të rënda pas një zjarri që ra aty dhe Mbretëresha vendosi të paguante edhe ekuivalentin e tatimit mbi të ardhurat.

 

31 gusht 1997

Deti me buqeta lulesh para Pallatit Kensington ku jetonte Princesha Diana (Reuters/Jasper Juinen)

Një vit pas divorcit nga Princi Charles, Princesha Diana vdes në një aksident automobilistik në Paris. Mbretëresha fillimisht qëndroi në Pallatin e saj Balmoral, në Skoci, me nipërit dhe mbesat dhe e vonoi uljen e flamurit në gjysmë shtizë në Pallatin Buckingham, gjest që provokoi shumë kritika në adresë të saj. Ajo më në fund u kthye në Londër më 5 shtator, një ditë para funeralit, duke bërë vetëm një deklaratë të shkurtër televizive në shenjë homazhi për Princeshën Diana.

 

1 korrik 2010

Mbretëresha mirëpritet ngrohtësisht në festimet e 1 korrikut 2010 në Ottawa (The Canadian Press)

Mbretëresha dhe Princi Philip festojnë Ditën e Kanadasë në Ottawa para një turme prej rreth 70,000 vetësh. Në fjalimin e saj në anglisht dhe frengjisht, Mbretëresha deklaroi: “Gjatë gjithë jetës sime, kam qenë dëshmitare e më shumë se gjysmës së historisë të këtij vendi që nga koha e Konfederatës. Kam parë me admirim të madh se si Kanadaja u rrit dhe u zhvillua duke i qëndruar besnike historisë, veçorive dhe vlerave të saj”.

 

29 prill 2011

Princi William dhe gruaja e tij Kate, Dukesha e Kembrixhit, pas dasmës mbretërore (AP/Matt Dunham)

Princi William, nipi i tretë i Mbretëreshës dhe i dyti në radhën e fronit, martohet me një grua pa origjinë mbretërore, Catherine Middleton. Ceremonia u ndoq nga miliona shikues në të gjithë botën. Popullariteti i çiftit të ri solli një erë rinovimi në Monarki, pas viteve të vështira.

 

21 prill 2016

Mbretëresha Elisabeth II takon qytetarë gjatë një shëtitje në Windsor, Angli, më 21 prill 2016, ditëlindja e saj e 90-të (Getty Images/John Still Well)

Mbretëresha feston ditëlindjen e saj të 90-të, duke u bërë sovrania më e vjetër në botë. Në tetor 2016, pas vdekjes së mbretit Bhumibol të Tajlandës, ajo u bë sovrania e dytë për sa i përket jetëgjatësisë, pas mbretit të Francës Louis XIV, i cili vdiq në 1715. Në vitin 2012, Mbretëria e Bashkuar organizoi Jubileun e Diamantit për të festuar 60 vitet e saj në fron. Të gjitha vendet e Commonwealth iu bashkuan festimeve. E vetmja mbretëreshë tjetër britanike që mbretëroi për 60 vjet ishte stërgjyshja e saj, Victoria.

 

9 prill 2021

Princi Philip (Getty Images/Samir Hussein)

Mbretëresha e quante figurativisht Dukën e Edinburgut shkëmbin e saj, i cili i qëndroi përkrah për më shumë se 70 vjet. Më 9 prill 2021, Princi Philip vdiq në moshën 99-vjeçare, vetëm disa muaj para ditëlindjes së tij të 100-të. Ai mban rekordin për jetëgjatësi si bashkëshort i një monarku britanik. Princi ishte tërhequr ndërkohë nga jeta publike qysh në verën e vitit 2017.

 

Qershor 2022

Mbretëresha Elisabeth II përshëndet qytetarët nga Buckingham Palace, Londër, në fund të ceremonive të Platinum Jubilee (AP/Chris Jackson)

Britanikët e festuan me madhështi 70 vjetorin e mbretërimit të Elisabeth II. Gjatë katër ditëve, ndër të tjera u zhvilluan një ceremoni fetare, një koncert dhe dy parada, njëra nga të cilat ushtarake. Për shkak të shëndetit të saj në rënie, Mbretëresha bëri vetëm një paraqitje surprizë në ballkonin e Pallatit Buckingham në mbylljen e ceremonive. E shoqëruar nga princat Charles dhe William, bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e William, ajo përshëndeti dhjetëra mijëra njerëz të grumbulluar në Mall, rruga që të çon në pallatin mbretëror.

Qendra Kombëtare e Arteve Ottawa, në zemër të kryeqytetit federal, projekton prej dje (8 shtator 2022) në fasadën e saj imazhe të Mbretëreshës Elisabeth II  (Radio-Canada/Frederic Pepin)

 

Burimi: Radio-Canada dhe Enciklopedia Kanadeze

Përgatiti Flasshqip.ca

*Foto kryesore lart Getty Images/Dan Kitwood