Ottawa - Ceremoni për proklamimin e mbretit Charles III në krye të shtetit kanadez
- Published in Kanada

Në kryeqytetin federal Ottawa do të zhvillohet sot paradite (10.09) duke filluar nga ora 10:00, një ceremoni zyrtare për proklamimin e mbretit Charles III si kreu i shtetit kanadez. Ceremonia, ku do të jenë të pranishëm Kryeministri Justin Trudeau, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrës së Privy Council, do të zhvillohet në Rideau Hall, selinë e mëkëmbëses së Kurorës Britanike, Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon.
Sipas burimeve nga Heritage Canada, për të nderuar kujtimin e Elisabeth II, kreu i shtetit kanadez më jetëgjatë në historinë e federates (70 vjet nga 155) do të zhvillohet gjithashtu një ceremoni kombëtare. Programi parashikon një shërbesë fetare në Katedralen e Kishës Anglikane të Krishtit në Ottawa, që do të transmetohet drejtpërdrejt, një përshëndetje me 96 të shtëna topi si dhe një paradë ushtarake ku do marrin pjesë përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe të RCMP, Policisë Federale Kanadeze. Po kështu, një skuadrilje avionësh F-18 të Aviacionit Mbretëror Kanadez do fluturojë mbi qiellin e kryeqytetit, Ceremonia në Ottawa do zhvillohet në të njëjtën ditë me funeralin shtetëror të Mbretëreshës në Westminster Abbey, Londër, data e të cilit ende nuk është shpallur.
Ndërkohë, Kryeministri Trudeau, i cili prej tri ditësh ndodhej në Vancouver së bashku me kabinetin, pas kthimit në Ottawa mbrëmë ka nënshkruar librin e ngushëllimeve në Rideau Hall. Libri i ngushëllimeve është gjithashtu i disponueshëm për publikun në faqen e internetit të Heritage Canada.
https://www.canada.ca/en/canadian-heritage/commemoration-her-majesty-the-queen/book.html
©Flasshqip.ca
Fotot: BBC/Getty Images, The Governor General of Canada Office