Pierre Poilievre, dora e fortë e Partisë Konservatore Kanadeze - Nga Christian Noël
- Published in Kanada
Christian Noël, Radio-Canada
Liria është një temë që e ka motivuar atë që në fillimet e karrierës së tij politike. Në moshën 23 vjeçare, ai shkroi: “Gjëja më e rëndësishme është liria, në aspektin social, ekonomik dhe politik, në mënyrë që njerëzit të jenë përgjegjës për prosperitetin e tyre dhe të kenë kontrollin e fatit të tyre”. Një mesazh të cilit ai vazhdimisht i referohet edhe 20 vjet më pas... Një gjë është e sigurt sot dhe mund të konfirmohet pa patur frikë se gabon, nën drejtimin e Pierre Poilievre Partia Konservatore Kanadeze do transformohet. Politika kanadeze gjithashtu.
Partia Konservatore e Kanadasë pothuajse mund të riemërtohet Partia Pierre Poilievre. Fitorja e tij me 68% është e padiskutueshme. Për më tepër, ai ia doli të fitojë në të gjitha provincat e vendit. Nga njëri oqean në tjetrin humbi vetëm në 8 nga 338 njësitë zgjedhore. Ai u bë lider me një rezultat akoma më të lartë se ai i Stephen Harper 18 vjet më parë. Triumfi i tij në raundin e parë do të thotë gjithashtu se ai nuk ia detyron fitoren e tij askujt tjetër, përveçse ekipit të tij. Kjo i jep atij të gjithë hapësirën që i nevojitet për të rindërtuar Partinë Konservatore Kanadeze në përputhje me imazhin e tij.
Kush është Pierre Poilievre?
Njerëz pranë tij, e përshkruajnë Pierre Poilievre si një person të motivuar nga dëshira për të fituar me çdo kusht (ose dhe frika e humbjes). Një autodidakt që dëgjon shpesh të regjistruar fjalime të famshme politikanësh, për të perfeksionuar stilin e tij. Një vetmitar me ambicie të mëdha që nuk i dridhet qerpiku.
Liria është një temë që e ka motivuar atë që në fillimet e karrierës së tij politike. Në moshën 23 vjeçare, ai shkroi: “Gjëja më e rëndësishme është liria, në aspektin social, ekonomik dhe politik, në mënyrë që njerëzit të jenë përgjegjës për prosperitetin e tyre dhe të kenë kontrollin e fatit të tyre”.
Një mesazh të cilit ai vazhdimisht i referohet edhe 20 vjet më pas. Në fjalimin e tij të fitores të shtunën në mbrëmje, ai premtoi që do luftojë inflacionin. “Ne do t'ju kthejmë kontrollin mbi paratë dhe jetën tuaj”, tha ai.
Kur iu referua Québec-ut, ai pohoi se i kuptonte shumë mirë përpjekjet për të mbrojtur gjuhën franceze duke shtuar se banorët e tij “pa asnjë lloj kompleksi mbrojnë trashëgiminë e tyre, kulturën dhe gjuhën. Ata nuk kërkojnë falje sepse kombi i Québec i kundërvihet wokizmit”.
Një parti e transformuar
Për t’u ngjitur deri në kreun e partisë, Pierre Poilievre u mbështet te zemërimi dhe pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë. Disa, si NDP, folën për një amerikanizim të politikës kanadeze, por ajo që pritet në Partinë Konservatore është një lëvizje më djathtas.
Mbi 300,000 anëtarë të rinj u rekrutuan nga Pierre Poilievre, kryesisht njerëz që i tërhoqi mesazhi i tij ekonomik kundër inflacionit, por edhe mesazhi anti-kufuzime sanitare dhe anti-elitave, që ndonjëherë dukej se flirtonte me konspiracionin (veçanërisht komentet mbi Forumin Ekonomik Botëror në Davos). Diskursi i tij u bëri jehonë herë pas here dhe rivendikimeve të Freedom Convoy këtë pranverë në Ottawa.
Nëse këta mbështetës të rinj do vazhdojnë të përfshihen në politikë në numër të mjaftueshëm, ata do të kenë fuqinë për të ndikuar tek kandidatët e zgjedhur në mbledhjet e nominimeve në zonat elektorale, si dhe në politikat e partisë që miratohen në kongrese.
Mbështetësve të Jean Charest dhe disa deputetëve konservatorë nga Quebéc, mund të mos u përshtatet ky version i ri i partisë. Disa, si Alain Rayes, kanë thënë hapur se po reflektojnë mbi të ardhmen e tyre brenda Partisë Konservatore. Të tjerë, presin të shohin nëse mesazhi i unitetit i deklaruar nga udhëheqësi i ri të shtunën do jetësohet në veprime konkrete përmes mënyrës se si do i trajtojë ai çështjet e brendshme. Sigurisht, tensionet nuk do të zhduken brenda natës.
Megjithatë, duhet pranuar se grupimi konservator që sot quhet Partia Konservatore Kanadeze po ndryshon. Anëtarët e rinj u rekrutuan nga jashtë grupeve tradicionale të partisë. Janë kryesisht njerëz, një pjesë e konsiderueshme të rinj në moshë, që normalisht kanë patur pak interes dhe rrallë kanë qenë të përfshirë në politikë. Pak a shumë si në kohën kur Justin Trudeau u bë lider i Partisë Liberale.
Liberalët të detyruar të përshtaten
Disa liberalëve ende u pëlqen të besojnë se një figurë politike luftarake dhe shpesh sipas tyre agresive, si Pierre Poilievre, mund të tërheqë turmat konservatore, por jo votuesit në përgjithësi. Por as ata duket se nuk kanë ndërmend ta marrin lehtë kundërshtarin e ri.
Qeveria liberale tashmë ka filluar të përshtasë mesazhin e saj. Po premton të bëjë më shumë për të luftuar inflacionin dhe për t'u dhënë më shumë hapësirë familjeve që po përballen me të dhe ndodhen në vështirësi prej tij. Liberalët pritën deri në fund të verës përpara se të korrigjonin mesazhin, në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve të Pierre Poilievre. Disa mendojnë se është pak si vonë,
Një gjë është e sigurt sot dhe mund të konfirmohet pa patur frikë se gabon, nën drejtimin e Pierre Poilievre Partia Konservatore Kanadeze do transformohet. Politika kanadeze gjithashtu.
Burimi: Radio-Canada
E shqipëroi Flasshqip.ca
Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick












