Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau takohet në Londër me Mbretin Charles III

  • Published in Kanada

Dy ditë para funeralit zyrtar, kryeministri kanadez Justin Trudeau i shoqëruar nga bashkëshortja, ka qëndruar sot paradite (17.09) në shenjë nderimi për disa minuta para arkivolit të Mbretëreshës Elisabeth II, të vendosur në Westminster Hall në Londër.

Më pas, gjatë pasdites, Justin Trudeau është takuar me Mbretin Charles III. Ishte familja mbretërore ajo që konfirmoi lajmin se monarku i ri kishte pritur në audiencë kryeministrin e Kanadasë, si dhe kryeministrat Anthony Albanese (Australi), Philip Davis (Bahamas), Andrew Holness (Xhamajka) dhe Jacinda Arder (Zelanda e Re).

Deklarata për shtyp e familjes mbretërore u shoqërua me një foto të Trudeau dhe Charles III përpara një oxhaku, ku dallohet dhe një orë që tregon 15:47. Kabineti i mbretit njoftoi gjithashtu që Charles III në mbrëmje bisedoi  me guvernatorët e përgjithshëm nga i gjithë Commonwealth.

Siç është bërë e ditur më parë, kryeministri Trudeau mbërriti në Londër të premten (16.09)  si pjesë e një delegacioni shtetëror kanadez, që do marrë pjesë në funeralin e Elisabeth II, të hënën 19 shtator, delegacion që përfshin gjithashtu Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon, katër ish-kryeministra dhe tre udhëheqës kombëtarë të popujve autoktonë.

Ndërkohë, sot në mbrëmje Zyra e shtypit të Trudeau njoftoi se nesër kryeministri kanadez në ora 09:00 (me orën e Londrës) do takohet me kryeministrin e Australisë Anthony Albanese, në ora 13:00 me kryeministren britanike Elisabeth Truss, në ora 18:00 do marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe do ta mbyllë aktivitetin zyrtar me një takim në ora 20:30, me kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal.

©Flasshqip.ca

Foto: Associated Press/Stephane Rousseau, Getty Images