Kanada

Uragani Fiona, Trudeau dërgon ushtrinë në Nova Scotia dhe anulon udhëtimin në Japoni

  • Published in Kanada

Pas dëmeve masive të shkaktuar nga uragani Fiona në provincat atlantike kanadeze Newfoundland & Labrador, Prince Edward Island, New Brunswick, Nova Scotia dhe në Verilindje të Québec, me kërkesë të kryeministrit të Nova Scotia, ku rezultojnë dhe dëmet më të mëdha, kryeministri federal Justin Trudeau vendosi sot në fund të pasdites (24.09) të dërgojë atje ushtrinë si dhe ofroi gjithashtu mbështetje nga qeveria federale dhe burime shtesë për provincat e tjera të prekura.

“Të gjithë kanadezët janë të shqetësuar për të gjithë ata që janë prekur nga uragani Fiona, me efekte shkatërruese në provincat e Atlantikut dhe në Québec-un Lindor, veçanërisht në arqipelagun Îles-de-la-Madeleine. Tashmë shihet se dëmet janë të shumta dhe situata mbetet kritike. Sot dhe nesër, i inkurajoj të gjithë të vazhdojnë të zbatojnë kërkesat e autoriteteve lokale dhe të bëjnë gjithçka që duhet për të qëndruar të sigurt. E dimë që ka njerëz të cilëve iu shkatërruan shtëpitë, njerëz shumë të traumatizuar - ne do të jemi aty për ju”, deklaroi kryeministri Justin Trudeau gjatë konferencës së tij për shtyp.

Auberge Château Dubuc - Chandler, Gaspésie (Québec)

Konferenca u zhvillua menjëherë pas komunikimeve me kryeministrat e provincave të dëmtuara dhe mbledhjes së Grupit të Ndërhyrjes për përballimin e dëmeve të uraganit Fiona, ku bëjnë pjesë Kryetari i Këshillit Privat të Mbretit për Kanadanë dhe ministër i Mbrojtjes Civile, Bill Blair, ministrja e Mbrojtjes, Anita Anand, ministrja e Zhvillimit Ekonomik Rural, Gudie Hutchings, ministri i Çështjeve Ndërqeveritare, Infrastrukturës dhe Komuniteteve, Dominic LeBlanc, ministrja e të Ardhurave Kombëtare, Diane Lebouthillier dhe Ministri i Punës, Seamus O'Regan Jr.

Provinca e Nova Scotia paraqiti një kërkesë për të marrë ndihmë nga Forcat e Armatosura Kanadeze në pastrimin e mbeturinave, kërkesë të cilën Ottawa e miratoi menjëherë. Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Kombëtare, Anita Anand, pohoi se ushtria është e gatshme të ndërhyjë në të gjitha vendet ku kërkohet prania e saj.

Për shkak të situatës që precipitoi me dëme dhe shkatërrime në Lindje të vendit, kryeministri kanadez anuloi edhe udhëtimin e tij në Japoni, ku do të merrte pjesë në funeralin e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe. “Ne vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër”, ka siguruar Justin Trudeau, i cili konfirmoi se do të shkojë në terren në ditët në vijim, pasi situata të jetë normalizuar disi dhe të mos ketë pengesa për të udhëtuar.

La Grave (vend historik) - Arqipelagu Îles-de-la-Madeleine (Québec)

Kryeministri Trudeau konfirmoi gjithashtu se qeveria federale do të ofrojë një shumë të barabartë me të gjitha donacionet nga individë dhe biznese që do bëhen pranë Kryqit të Kuq kanadez për të ndihmuar të dëmtuarit nga stuhia posttropikale Fiona. Kjo masë e vendosur nga qeveria federale do të jetë në fuqi për 30 ditë.

Stuhia post-tropikale Fiona përfshiu territorin kanadez rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm në Atlantik midis Canso dhe Guysborough, Nova Scotia, përpara se të godiste më pas Prince Edward Island.

Rreshje të shumta shiu, dallgë të larta deri në 10-12 metra dhe breshëri erërash nga 90 deri në 120 kilometra në orë u raportuan në Nova Scotia, Prince Edward Island, arqipelagun Îles-de-la-Madeleine dhe Newfoundland-in Jugperëndimor, ndërsa në ishullin Beaver, Nova Scotia erërat arritën shpejtësinë 161 km/h. Më shumë se 500,000 shtëpi janë ende pa energji elektrike në provincat e Atlantikut, pjesa më e madhe e të cilave në Nova Scotia.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Justin Tang, Radio-Canada/Louis Pelchat-Labelle