Uragani Fiona: Dërgohet ushtria kanadeze në tre provinca të Atlantikut
- Published in Kanada
Forcat e Armatosura Kanadeze do japin ndihmë në tre provinca të Atlantikut pas shkatërrimeve të shkaktuara nga uragani Fiona.
Qeveria federale kanadeze njoftoi sot (25.09) në fund të pasdites se kishte marrë dhe miratuar një kërkesë për mbështetje edhe nga provinca Newfoundland dhe Labrador. Newfoundland dhe Labrador është provinca e tretë që kërkon ndihmë nga Ottawa, pas Nova Scotia dhe Prince Edward Island, ku ushtria kanadeze do dërgohet për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar në pastrimin e zonave që u goditën nga stuhia.
Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, prej vitit 2019, ndërhyrjet e Forcave të Armatosura të Kanadasë në raste fatkeqësish natyrore mbajnë emrin Operacioni LENTUS dhe kanë procedure e program të detajuar paraprakisht, që adaptohet në funksion të situatave specifike. Sipas rastit, vihen në përdorim edhe Roja Bregdetare, Marina ushtarake dhe Aviacioni ushtarak.
Ndërkohë, një ekip prej rreth 100 vetësh nga ushtria ka mbërritur qysh sot në terren, në Cape Breton të Nova Scotia.
“Për të gjithë të prekurit, ndihma është në rrugë e sipër”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes Anita Anand.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: National Defence Canada












