Uragani Fiona - Rreth 100 shtëpi të shkatërruara në Newfoundland
- Published in Kanada
Më shumë se 80 shtëpi janë shkatërruar në lokalitetin Channel-Port aux Basques dhe një duzinë të tjera në Burnt Island të provincës Newfoundland dhe Labrador pas kalimit të uraganit Fiona në fundjavë. Sipas pohimeve të kryeministrit Andrew Furey, ky numër pa dyshim do të rritet gjatë ditëve të ardhshme. Furey që vizitoi pjesën jugperëndimore të provincës u deklaroi mediave se kurrë më parë nuk kish parë një shkatërrim të tillë.

Ndërkohë qeveria federale ka dërguar për ndihmë në Channel-Port aux Basques 100 pjestarë të Forcave të Armatosura dhe një fregatë të Marinës Mbretërore Kanadeze. Ekuipazhet e fregatave HMCS Goose Bay dhe HMCS Margaret Brooke, të cilat ndodhen të ankoruara në St. John’s, janë gjithashtu të gatshëm të ndihmojnë nëse do jetë e nevojshme.

Qeveria provinciale e Newfoundland dhe Labrador ka paralajmëruar miratimin e një programi ndihme financiare për të dëmtuarit dhe sipas kryeministrit Furey, të gjithë pa përjashtim do të mbështeten, pa marrë parasysh koston.
Uragani Fiona ka shkaktuar dhe një viktimë në Port aux Basques. Një 73-vjeçare, humbi jetën pasi u rrëmbye nga vala e ujërave që shkatërruan një pjesë të shtëpisë së saj të shtunën e kaluar (24.09).
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/Yan Theoret, The Canadian Press/Vaughan Merchant, Associated Press/Pauline Billard












