Kanada

Alberta: Danielle Smith zgjidhet lidere e Konservatorëve dhe kryeministre

  • Published in Kanada

Pas doreheqjes së kryeministrit Jason Kenney, një fushate 4 mujore në garën për kryetar dhe pas gjashtë raundesh votimi, ish-drejtuesja e Partisë Wildrose, Danielle Smith, është rikthyer fuqishëm në skenën politike dhe ka arritur të zgjidhet parmbrëmë (06.10) kryetare e Partisë së Bashkuar Konservatore në Alberta. Automatikisht ajo do jetë kryeministrja e ardhshme e provincës perëndimore, prodhuesit kryesor të hidrokarbureve në vend dhe me GDP më të lartë për numër banorësh. Betimin si kryetare e qeverisë provinciale ajo do ta bëjë të martën e ardhshme më 11 tetor.

Në fjalën e saj menjëherë pas fitores, ajo nuk ka hezituar të flasë sërish për temën kryesore që dominoi gjithë fushatën e lidershipit, sovranitetin e Albertës (brenda konfederatës kanadeze). “Nuk do të kërkojmë leje nga Ottawa për të qenë të begatë e të lirë”, është shprehur Danielle Smith, duke theksuar se synimi i saj është të zhvillojë burimet natyrore të provincës, me qëllim që Alberta të shndërrohet në një superfuqi energjitike. Ajo përmendi në fjalën e saj edhe temën e vaksinimit, duke kundërshtuar çdo masë detyruese.

Edhe pse Danielle Smith qysh nga fillimi i fushatës konsiderohej si favoritja kryesore për të zëvendësuar Jason Kenney, asaj iu deshën gjashtë raunde votimi për t’u shpallur fituese. Ashtu sikurse Partia Konservatore Kanadeze, Partia e Bashkuar Konservatore e Albertës përdori një fletë votimi preferenciale, që do të thotë se votuesit i kishin renditur kandidatët sipas preferencës. Në raundin final, Smith u përball me ish-ministrin e Financave të qeverisë Kenney, Travis Toews, dhe arriti të marrë 53.8% të votave. Në garën për lidership votuan rreth 85,000 anëtarë të partisë.

Menjëherë pas shpalljes se rezultatit, ka reaguar në rrjetet sociale kreu i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilièvre, i cili i uroi fitoren kryeministres së ardhshme të Albertës. “Mezi pres të punoj me ju për të mbrojtur interesat e Albertës dhe Kanadasë”, deklaroi shefi i opozitës në Ottawa. Edhe kryeministri Justin Trudeau e uroi gjithashtu Danielle Smith dhe e ka ftuar të punojnë së bashku.

Kush është Danielle Smith?

Emri i plotë i kryeministres së re të Albertës është Marlaina Danielle Smith. Ajo ka lindur në vitin 1971 në Calgary. Gjyshi i saj nga ana e babait ishte një imigrant ukrainas, i quajtur Philipus Kolodnicki. Pas ardhjes në Kanada në vitin 1915, ai vendosi ta aglicizojë emrin dhe u quajt Philippe Smith. Danielle Smith është diplomuar në literaturë angleze, shkenca politike dhe ekonomi në Universitetin e Calgary. Ajo qysh në moshë të re u angazhua me Progresistët Konservatorë, bashkë me Jason Kenney dhe mentori i saj ka qenë Tom Flanagan, ish-këshilltar i kryeministrit Stephen Harper. Në vitet 2012-2015, ajo ishte deputete provinciale e zonës elektorale Highwood.

Smith ka qenë kryetare e Partisë Wildrose (me orientim konservator) nga viti 2009 dhe lidere e opozitës nga viti 2012 deri në dorëheqjen e saj, për t’iu bashkuar më pas Konservatorëve Progresistë të kryeministrit Jim Prentice në dhjetor 2014. Përpara se të zgjidhej kryetare e Partisë Wildrose, Danielle Smith ka punuar fillimisht pranë Institutit Fraser e më vonë Drejtoreshë për provincën Alberta e Federatës Kanadeze të Biznesit të Pavarur. Ajo gjithashtu ka punuar si gazetare në shtyp, radio dhe televizion.

Idhulli i Danielle Smith mbetet ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher, të cilën ajo e pat takuar gjatë kohës së qëndrimit pranë Institutit Fraser, një think tank me orientim konservator. Ashtu si Thatcher, Danielle Smith e identifikon veten si libertariane dhe mbështetëse e një roli sa më të reduktuar të shtetit mbi jetën e qytetarëve. Smith është e martuar me biznesmenin David Moretta, me rreth 25 vjet karrierë në fushën e mediave, ku ndër të tjera ai ka ushtruar dhe detyrën e kryeredaktorit të Global News Calgary.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Marc-Antoine Leblanc