Québec - Kryeministri Fraçois Legault paraqet kabinetin e ri me 30 ministra
- Published in Kanada
Kryeministri i provincës frankofone Québec, François Legault, ka shpallur sot në ora 14:00 (20.10.) kabinetin e ri qeveritar, pas fitores së mandatit të dytë katërvjeçar në zgjedhjet e 3 tetorit të kaluar, zgjedhje në të cilat partia e tij Coalition Avenir Québec (CAQ) arriti të fitojë 90 nga 125 deputetë gjithsej.
Kabineti i ri përbehet nga 16 ministra meshkuj dhe 14 femra. 20 prej ministrave trashëgojnë postin qysh nga legjislatura e kaluar, një pjesë duke ndërruar portofolet, ndërsa 10 ministra hyjnë për herë të parë në qeveri. Kryeministri Legault, së bashku me anëtarët e kabinetit të tij bënë sot betimin në Sallonin Blu (salla e Parlamentit) në prezencë të Lejtënant-Guvernatorit të Québec J. Michel Doyon.

Kryeministri François Legault dhe Lejtënant-Guvernatori J. Michel Doyon
Geneviève Guilbault, e rizgjedhur në zonën Louis-Hébert, do jetë sërish zëvendëskryeministre, por ajo ka ndërruar ministrinë duke kaluar nga Rendi Publik tek Transportet. Dy dosjet më të rëndësishme që ajo do duhet të administrojë janë projekti i linjës së tretë në Québec dhe rikonstruksioni i urës-tunel Louis-Hippolyte-La Fontaine në Montréal.
Pierre Fitzgibbon, deputet i Terrebonne, do ketë më shumë përgjegjësi këtë mandat. Përveç Ekonomisë ai do të administrojë dhe sektorin e Energjisë, përfshi dhe supervizimin e gjigantit Hydro-Québec. Ai do të jetë gjithashtu përgjegjës për Zhvillimin ekonomik rajonal dhe për Rajonin Metropolitan të Montréal.
Portofolin e rëndësishëm të Rendit Publik e ka marrë François Bonnardel, deputet i Grandby, i cili do jetë gjithashtu përgjegjës për rajonin Estrie. Për të si ministër sfida më e rëndësishme që ka përpara është lufta ndaj krimeve me armë zjarri që janë shumëfishuar vitet e fundit, sidomos në metropol.
Jean-François Roberge, deputet i Chambly, nuk do të jetë më ministër i Arsimit. Kryeministri i ka besuar atij këtë radhë portofolet e Gjuhës Frënge, Laicitetit dhe Marrëdhënive me provincat kanadeze.
Mathieu Lacombe, deputet i Papineau, është emëruar ministër i Kulturës.
Jonatan Julien, deputet i Charlesbourg, do mbulojë si ministër Infrastrukturat dhe do jetë përgjegjës për kryeqytetin e provincës, Québec city.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Transportit Geneviève Guilbault
Ministrat e rinj
Ministrinë e Arsimit, dosje prioritare për kryeministrin, do ta drejtojë një veteran i politikës, Bernard Drainville, dikur deputet dhe ministër i Partisë Indipendentiste (Parti Québecois) i cili në këto zgjedhje iu bashkua CAQ.
Christopher Skeete, i zgjedhur për të dytën herë deputet i Sainte-Rose, ka hyrë në qeveri për herë të parë këtë vit si minister i deleguar i Ekonomisë, përgjegjës për Luftën kundër racizmit dhe rajonin Laval.
Christine Fréchette, e rekrutuar nga CAQ në këto zgjedhje është caktuar ministre e Imigracionit dhe Integrimit.
Pascale Déry, e zgjedhur për herë të parë deputete e Repentigny, ka marrë portofolin e Arsimit të Lartë.

Ministri i Arsimit Bernard Drainville
Kateri Champagne Jourdain, e zgjedhur në Duplessis, e para femër autoktone që zgjidhet deputete në gjithë historinë e Québec, është caktuar ministre e Punësimit
Martine Biron, deputete e Chutes-de-la-Chaudière, është caktuar ministre e Marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Frankofonisë.
Sonia Bélanger, ish-drejtuesja e Qendrës së Integruar Universitare Centre-Sud-de-l'Île-de-Montréal, është emëruar ministre e deleguar e Shëndetësisë dhe mistre për Të Moshuarit.
Suzanne Roy, ish-kryetare e bashkisë Sainte-Julie dhe ish-presidente e Unionit të Bashkive të Québec do drejtojë ministrinë e Familjes.
Maïté Blanchette Vézina, ish-kryetare e bashkisë Sainte-Luce, ka marrë portofolin e Burimeve Natyrore dhe Pyjeve. Deputetja e sapozgjedhur e Rimouski do jetë gjithashtu përgjegjëse për rajonin Gaspésie-Îles-de-la-Madeleine.
France-Élaine Duranceau, dputete e Bertrand, është caktuar ministre përgjegjëse për Strehimin.

Kateri Champagne Jourdain, e para deputete dhe ministre autoktone
Ministrat e vazhdimësisë
Christian Dubé do vazhdojë të drejtojë ministrinë e rëndësishme të Shëndetësisë. Eric Girard do vazhdojë në krye të Financave, sikurse dhe Sonia LeBel, në krye të Këshillit të Thesarit. Së bashku me ta, Benoit Charette, do vazhdojë të drejtojë ministrinë e Ambientit, Faunës dhe Parqeve, Simon Jolin-Barrette ministrinë e Drejtësisë, Ian Lafrenière, marrëdhëniet me Autoktonët dhe Inuitët, Andrée Laforest, Pushtetin Lokal, Caroline Proulx, Turizmin, Lionel Carmant, Shërbimet Sociale, Isabelle Charest, Sportet, Éric Caire, Sigurinë Kibernetike dhe Teknologjinë Numerike dhe André Lamontagne, Bujqësinë, Ushqimin dhe Peshkimin.
Më në fund, ministrit Jean Boulet, atij që do mbahet mend për deklaratën skandaloze në fushatë lidhur me imigrantët, kryeministri Legault i ka besuar vetëm portofolin e Punës, duke i hequr ata të Imigracionit, Solidaritetit Social dhe Punësimit. E mbyll listën Chantal Rouleau, që në mandatin e kaluar ishte ministre përgjegjëse për Rajonin e Montréal. Gjatë këtij mandati ajo do mbulojë Aksionin Komunitar dhe Solidaritetin Social.

Kryeministri Fraçois Legault
Të vazhdojmë... të ndryshojmë Quebec
Në fjalimin që mbajti pasi ministrat e tij u betuan, kryeministri Legault e cilësoi kabinetin e tij si shumë të kosoliduar dhe me përvojë. Sipas Radio-Canada, “duke refuzuar të zbulojë kriteret dhe arsyet që i kishin diktuar zgjedhjet e tij, Legault pohoi se i njihte talentet dhe cilësitë e secilit prej ministrave të tij”.
Ai gjithashtu ka kujtuar se slogani i fushatës së CAQ ishte “Le të vazhdojmë!”. Në realitet, sipas tij, kjo do të thotë: “le të vazhdojmë të ndryshojmë Québec, veçanërisht për sa i takon çështjeve mjedisore”.
Në fund, kryeministri Legault ka përshëndetur zgjedhjen deputete dhe emërimin ministre të Kateri Jourdain Champagne, e para grua autoktone në këto detyra në historinë e Québec dhe e ka konsideruar këtë fakt si një sinjal i afrimit midis kombit të Québec me autoktonët dhe Inuitët.
Ndërkohë, punimet e Parlamentit të Québec do rifillojnë më 29 nëntor.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/Sylvain Roy Roussel; The Canadian Press/Jacques Boissinot












