British Columbia, David Eby kreu i ri i NDP dhe kryministri i ardhshëm i provincës
- Published in Kanada
New Democratic Party (NDP) partia në pushtet në provincën kanadeze British Columbia prej vitit 2017, nga sot ka një emër të ri në krye të saj. Ai quhet David Eby dhe pas pak ditësh do jetë edhe kryeministri i ri që do të zëvendësojë kryeministrin në detyrë John Horgan, i cili pat deklaruar dorëheqjen në fund të qershorit të kaluar për shkaqe shëndetësore.
Edhe pse votimi për kreun e ri parashikohej të zhvillohej më 3 dhjetor, David Eby u zgjodh automatikisht në krye të Neodemokratëve të British Columbia, pas skualifikimit nga gara me vendim të Komisionit të zgjedhjeve të NDP për shkaqe parregullsish të kandidates tjetër, Anjali Appadurai. Vendimi në fjalë është mbështetur edhe nga ish-lideri John Horgan.
45 vjeçari David Robert Patrick Eby ka lindur në vitin 1977 në Kitchener të Ontario-s dhe është me profesion avokat. Ai është diplomuar në Schulich School of Law në Halifax të Nova Scotia dhe prej vitit 2005 nisi të ushtrojë avokatinë. Ndër të tjera, ka punuar për Departamentin Federal të Drejtësisë, ka qënë drejtor ekzekutiv i British Columbia Civil Liberties Association (BCCLA) si dhe lektor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të British Columbia. Ai është zgjedhur për herë të parë deputet provincial në vitin 2013 dhe qysh nga viti 2017 ka ushtruar funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm në qeverinë e kryeministrit John Horgan. Në vitin 2020 ai mori në ngarkim dhe portofolin e Strehimit.
David Eby do të betohet si kryeministër i British Columbia në javët e ardhshme. Ndërkohë, paraprakisht ai do të zhvillojë seanca informimi me përfaqësues nga të gjitha departamentet ministrore për t'u njohur me dosjet më të rëndësishme.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada/Ben Nelms; Province of British Columbia;












