Kanada

Shefja e e Policisë Federale Kanadeze nuk ishte e bindur për masat e jashtëzakonshme

  • Published in Kanada

Sot në mbrëmjë (24.10) media shtetërore kanadeze, CBC Radio-Canada ka publikuar një lajm mbi qëndrimin zyrtar të RCMP, Policisë Federale Kanadeze, lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria federale. Kësisoj, është bërë e ditur se në të njëjtën ditë që Justin Trudeau vendosi të aplikojë Aktin e Masave Urgjente për shpërndarjen e manifestimit në Ottawa dimrin e kaluar, Komandantja e Policisë Federale Kanadeze (RCMP), Brenda Lucki, besonte se kishte ende mjete të tjera në dispozicion për t'i dhënë fund bllokimit të qendrës së kryeqytetit kanadez nga Freedom Convoy.

Një mesazh i dërguar me postë elektronike që mban datën 14 shkurt 2022, hedh dritë mbi pozicionin e Brenda Lucki në lidhje me dobinë e përdorimit të Aktit të Masave Urgjente për t'i dhënë fund gati një muaji paralize në Ottawa.

Në një komunikim me një përfaqësues të Ministrisë së Rendit Publik, kreu i RCMP pat shkruar: “Jam e mendimit se nuk i kemi ezauruar të gjitha mjetet që janë në dispozicion bazuar në legjislacionin ekzistues”. Më tej ajo shtonte se sipas dispozitave ekzistuese “mund të ngrihen akuza për vepra të ndryshme penale që po kryheshin në kuadër të protestës, bazuar në Kodit Penal”. Për më tepër, Brenda Lucki pohonte gjithashtu se Akti mbi Menaxhimin e Emergjencave dhe Mbrojtjen Civile të Ontarios, i cili sapo kish nisur të aplikohej, do të ndihmonte për zbatimin e masave shtesë shtrënguese për zgjidhjen e situatës.

Në komunikimin e saj, shefja e RCMP përmendte gjithashtu diskutimet midis ekipit të Policisë Federale dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë për të këmbyer opinione për mundësinë e përdorimit të Aktit të Masave Urgjente.

Më pas ajo rendiste mjete të ndryshme shtesë që mund të ishin të dobishme për zbatimin e ligjit, në rast se do aplikohej Akti në fjalë si: Të ndaloheshin grumbullimet në rrugët publike që mund të prishnin qetësinë ose të pengonin forcat e rendit të kryenin arrestime; të ndalohej prania e të miturve në manifestim; të ndalohej sjellja e mallrave specifike për të ndihmuar protestuesit në qendër të qytetit, si p.sh. bombolat e gazit; të autorizohej përdorimi nga policia i pajisjeve të rënda për të lëvizur kamionët; të ndërpritej rrjeti celular apo të ndalohej lëvizja drejt zonës së manifestimit.

Brenda Lucki është thirrur gjithashtu të dëshmojë përpara Komisionit për Hetimin e Gjendjes së Jashtëzakonshme, komision i cili filloi punën më 13 tetor dhe do marrë në pyetje rreth 65 dëshmitarë. Ky komision, i kryesuar nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Ontarios, Paul Rouleau, duhet të përcaktojë nëse aplikimi i masave të jashtëzakonshme nga qeveria Trudeau ishte ligjërisht i justifikuar. Raporti përfundimtar do të dorëzohet në Parlament në shkurt të vitit të ardhshëm.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld