Kanada

Ontario - 970 milion dollarë kredi federale për një reaktor të ri bërthamor

  • Published in Kanada

Banka e Infrastrukturës së Kanadasë (Canada Infrastructure Bank) do t’i akordojë një kredi prej 970 milionë dollarësh kompanisë Ontario Power Generation (OPG) për shtimin e një reaktori modular në Centralin bërthamor të Darlington. Ontario Power Generation është një korporatë e Kurorës dhe ndërmarrje biznesi qeveritare, që është përgjegjëse për afërsisht gjysmën e prodhimit të energjisë elektrike në provincën e Ontarios. OPG është në pronësi të plotë të qeverisë së Ontarios.

I pari i këtij lloji në Kanada, reaktori i ri që do instalohet dhe do vihet në funksionim në vitin 2028, parashikohet të prodhojë rreth 300 MW, energji kjo e mjaftueshme për të furnizuar rreth 300,000 banesa. Sipas OPG, reaktorët e vegjël modularë (Small Modular Reactors) zënë më pak hapësirë ​​dhe ndërtohen më shpejt se reaktorët bërthamorë tradicionalë. Aktualisht centrali i Darlington-it prodhon 3500 MW.

Njoftimi për kredinë pason vendimin e qeverisë së Doug Ford për t’u orientuar drejt termocentraleve me gaz natyror, përveç rinovimit të centralit bërthamor në Pickering, me qëllim plotësimin në kohë të rritjes së kërkesës për energji elektrike në provincën e Ontarios.

Jonathan Wilkinson

Ontario Power Generation ka bërë të ditur gjithashtu që reaktori i ri bërthamor nuk do të emetojë gazra të dëmshëm për mjedisin. Nga ana e tij, në një konferencë shtypi sot (25.10), ministri federal i Burimeve Natyrore, Jonathan Wilkinson, e justifikoi investimin madhor të Ottawa duke argumentuar se energjia bërthamore është “thelbësore” për të krijuar kushtet që Kanadaja të arrijë objektivat e saj të karboneutralitetit. Ministri i Energjisë së Ontarios, Todd Smith gjithashtu e ka konsideruar investimin si “energji elektrike të pastër” dhe nxitje për të krijuar vende të reja pune në provincë.

Megjithatë, sipas kritikëve të kësaj lloj energjie, centralet bërthamore prodhojnë mbetje radioaktive që kërkojnë një depozitim dhe trajtim të specializuar për disa dekada.

Banka e Infrastrukturës së Kanadasë (Canada Infrastructure Bank) është një korporatë shtetërore e krijuar në vitin 2017 që administrohet nga një bord drejtorësh. Kjo bankë i raporton qeverisë dhe Parlamentit nëpërmjet Ministrit të Çështjeve Ndërqeveritare. Sipas website të qeverisë federale, Canada Infrastructure Bank është një investitor që operon 35 miliardë dollarë të buxhetit federal me objektiv ndërtimin e gjeneratës së ardhshme të infrastrukturës në Kanada.

Foto: Ontario Power Generation/Global News