Statistics Canada: gati një e katërta e popullsisë në vend janë imigrantë
- Published in Kanada

Sipas raportit më të fundit të Statistics Canada për imigracionin, gjatë vitit 2021 imigrantët e ardhur dhe rezidentët e përhershëm përbënin 23% të popullsisë në Kanada, përqindja më e lartë kjo në historinë e vendit, ose rreth 8,3 milionë vetë, që kanë lindur jashtë Kanadasë. Saktësisht një shekull më parë, në vitin 1921, Kanadaja kishte në përbërje të popullsisë së saj 22.3% imigrantë. Në të dhënat e reja, të marra nga regjistrimi më i fundit, Agjencia Federale e Statistikave specifikon që Kanadaja është gjithashtu vendi me përqindjen më të lartë të imigrantëve brenda G7.
Po kështu, nga viti 2016 deri në 2021, imigrantët përbënin 80% të rritjes së fuqisë punëtore, me 1.3 milionë të ardhur e të vendosur këtu përgjithmonë. Ky fakt është i rëndësishëm, në veçanti për plotësimin e shumë vendeve vakante të punës në të gjitha provincat dhe duke qenë se në fund të vitit të kaluar numri i vendeve të lira të punës ishte 80% më i lartë se para pandemisë (e për më tepër fuqia punëtore vazhdon të plaket), kjo rritje e numrit të imigrantëve mund të kontribuojë në ecurinë më të mirë të ekonomisë nga sot e tutje, theksohet në shënimin informativ të publikuar dje (26.10.) nga Agjencia Federale e Statistikave të Kanadasë.
Pothuaj të gjithë imigrantët flasin anglisht ose frëngjisht
Ndërsa më shumë se dy të tretat e të sapoardhurve nuk i kanë anglishten ose frëngjishten gjuhë amtare, pothuajse të gjithë (92.7%) kanë deklaruar se janë në gjendje të zhvillojnë një bisedë në njërën ose tjetrën nga dy gjuhët zyrtare. Po kështu, nga kategoria që deklarohen se kanë një gjuhë tjetër amtare (pra jo anglisht ose frengjisht), rreth dy të tretat e flasin rregullisht gjuhën e Shekspirit ose atë të Molierit në shtëpi, por është anglishtja ajo që flitet më shpesh, qoftë vetëm ose me një gjuhë të ndryshme nga frëngjishtja.
Në Québec, gjatë periudhës që i referohet raporti, frëngjishtja ishte e vetmja gjuhë zyrtare e folur nga më shumë se gjysma (54.5%) e imigrantëve, ndërsa afërsisht 15% e të ardhurve flisnin si frëngjisht ashtu edhe anglisht. Një e katërta (25.5%) e imigrantëve që mbërritën në Québec flisnin vetëm anglisht mes viteve 2016 dhe 2021 dhe vetëm 5% e të ardhurve nuk mund të shpreheshin në asnjërën gjuhë zyrtare, specifikon Statistics Canada. Megjithatë, jashtë Québec-ut, gjuha e Shekspirit është e vetmja gjuhë zyrtare e folur nga rreth 9 në 10 imigrantë, ndërsa ata që flisnin vetëm frëngjisht si gjuhë zyrtare përfaqësonin vetëm 2.1% të të ardhurve. Në total, imigrantët e ardhur së fundi kanë raportuar se flasin gjithsej 450 gjuhë. Ndër gjuhët jozyrtare që fliten më shpesh nga të ardhurit janë arabishtja, tagalog, mandarin dhe punxhabi.
Mbizotërojnë imigrantët ekonomikë dhe të ardhurit nga Azia
Statistics Canada ka raportuar gjithashtu se më shumë se gjysma e imigrantëve të ardhur rishtaz që jetojnë në vend, u përzgjodhën sipas kategorisë ekonomike, pra rreth 750,000 vetë, nga të cilët një e treta u zgjodhën sipas programit federal të punonjësve të kualifikuar dhe një e treta tjetër sipas kritereve të provincave.
Në Québec, i cili ka kriteret e veta të imigracionit, 46.4% e imigrantëve të pranuar midis 2016 dhe 2021 u përzgjodhën sipas programit të punonjësve të kualifikuar. Po ashtu, që nga viti 2016, pak më shumë se një e treta (36%) e imigrantëve të rinj të vendosur në vend kanë ardhur me leje pune ose studimi, ose si azilkërkues.
Sa i përket origjinës së kanadezëve të rinj, ajo ka ndryshuar me kalimin e viteve. Ndërsa ka gjithnjë e më pak imigrantë evropianë, janë gjithmonë e më të shumtë ata që vijnë nga Lindja e Mesme ose gjetkë në Azi. Në fakt, 62% e imigrantëve të viteve të fundit, nga viti 2016 deri në vitin 2021, ishin nga ky rajon i botës. Edhe më konkretisht, gati një në pesë imigrantë të viteve të fundit (18.6%) ka lindur në Indi.
Sa i përket emigrantëve evropianë, nëse ata përfaqësonin 61.6% të të ardhurve të rinj në vitin 1971, kjo përqindje ra në 10.1% në vitin 2021.
Një çerek milioni refugjatë rezidentë të përhershëm
Sipas regjistrimit të vitit të kaluar, gati një çerek milioni (218,430) refugjatë të rinj u pranuan si rezidentë të përhershëm midis 2016 dhe 2021 dhe jetonin ende në vend në kohën kur Statistics Canada kreu procesin. Nga ky numër, 61 mijë refugjatë janë nga Siria, të cilët ikën nga lufta civile që ende po e rrënon këtë shtet në Lindjen e Mesme. Për më tepër, origjina e refugjatëve ka ndryshuar me kalimin e viteve, duke përfshirë, mjerisht, për shkak të origjinës së konflikteve, disa rajone të globit.
Nga viti 1980 deri në vitin 1990, për shembull, shumica e refugjatëve erdhën nga Vietnami, Polonia dhe Salvadori. Gjatë dekadës së mëpasme, pjesa më e madhe e refugjatëve të pranuar në Kanada vinin nga Sri-Lanka, Bosnje-Hercegovina dhe Irani. Nga viti 2001 deri në vitin 2010, vendet kryesore të origjinës së refugjatëve ishin Kolumbia, Afganistani dhe Iraku, dy të fundi të shkatërruar nga luftërat.
Në lidhje me refugjatët sirianë, qeveria federale ishte zotuar në vitin 2015 për të pranuar dhjetëra mijëra; 27,000 prej tyre kishin mbërritur tashmë në vend në pesë vitet e mëparshme, kur u krye regjistrimi i popullsisë në vitin 2016. Nga viti 2016 deri në vitin 2021, 60,795 refugjatë sirianë të tjerë janë pranuar dhe jetojnë në Kanada, numër ky që përfaqëson pak më shumë se një të katërtën (27.8%) e refugjatëve të rinj që hynë në vend. Vende të tjerë të origjinës së refugjatëve janë sërish Iraku dhe Afganistani, apo dhe Pakistani e Eritrea.
Në total, rreth 85,000 imigrantë që aplikuan për azil morën rezidencën e përhershme midis 2016 dhe 2021.
Mbizotërojnë imigrantët urbanë
Të dhënat e reja nga regjistrimi i fundit i Statistics Canada, konfirmojnë gjithashtu se pothuajse të gjithë imigrantët e viteve të fundit jetojnë në një nga 41 qytetet më të mëdhenj të vendit ose bashkitë me më shumë se 100,000 banorë. Ata që tërheqin më shumë imigrantë janë tre metropolet. Toronto (29.5%), Montréal (12.2%) dhe Vancouver (11.7%) kanë në territorin e tyre më shumë se gjysmën e imigrantëve (53.4%). Megjithatë, kjo përqindje është ulur rreth 3% që nga viti 2016, me një rënie veçanërisht të theksuar në Montréal.
Pavarësisht nga kjo rënie, pak më shumë se 92% e imigrantëve jetonin në qytete të mëdhenj vitin e kaluar, krahasuar me vetëm dy të tretat e të lindurve në Kanada.
Kjo preferencë për qendra të mëdha do të thotë se imigrantët përfaqësojnë një pjesë të madhe të popullsisë së këtyre qyteteve; norma është afër 50% në Greater Toronto Area, rreth një e treta në Calgary dhe afërsisht një e katërta në Montréal dhe Winnipeg.
Po çfarë e motivon dëshirën për t'u vendosur në qytetet e mëdhenj? Sipas Anketës Sociale Kanadeze të vitit 2022, shumica e imigrantëve të rinj ende synojnë të banojnë pranë të afërmve të tyre. Në të njëjtën kohë, punësimi, biznesi dhe perspektivat e arsimit, si dhe strehimi ishin gjithashtu ndër arsyet kryesore që imigrantët marrin në konsideratë për të zgjedhur qytetin e tyre të banimit, përfundon shënimi informues i Statistics Canada.
©Flasshqip.ca me informacion nga Statistics Canada