Tenis - Tre tituj në tri javë për kanadezin nga Montréal Félix Auger-Aliassime
- Published in Kanada
Me tri fitore radhazi në finalet e tre turneve në salla të mbyllura gjatë tri javëve të fundit, lojtari i njohur kanadez i tenisit me origjinë nga Montréal dhe aktualisht i klasifikuari më mirë në renditjen ATP për meshkuj, 22 vjeçari Félix Auger-Aliassime, është ngjitur në renditje nga vendi i 13-të në vendin e 8-të, direkt pas Novak Djokovic, që aktualisht mban vendin e 7-të. Madje në turneun e Bazelit (Zvicër) ai ka arritur të mundë në gjysëm finale me rezultatin 6-3 dhe 6-2, numrin 1 në botë Carlos Alcaraz.
Fitoren e parë këtë tetor, Auger Aliassime e arriti pikërisht në datën 16, në Turneun e Firences ATP 250 (Itali) duke mundur amerikanin J. J. Wolf (numri 75 në klasifikimin botëror) me rezultatin 6-4 dhe 6-4 në rreth 1 orë e 40 minuta lojë. Më pas, më 23 tetor ai fitoi në finalen e turneut të Anvers (Belgjikë) sërish kundër një lojtari amerikan, Sebastian Korda, duke i marrë të dy setet në rreth 1 orë e 24 minuta lojë, 6-3 dhe 6-4. Ndërsa dje, më 30 tetor, ai ka fituar turneun ATP 500, në Bazel të Zvicrës duke triumfuar mbi danezin Holger Rune (numri 25 në botë) me rezultatin 6-3 dhe 7-5.
Me këto tri fitore, palmaresi i trofeve të Félix Auger-Aliassime shkon në gjithsej 4 (në 13 finale), bashkë me trofeun e Roterdamit (Hollandë) të cilin ai e fitoi në shkurt të këtij viti, në një përballjë 6-4 dhe 6-2 me lojtarin grek Stefanos Tsitipas (aktualisht numri 5 në renditjen botërore).
Pas performancës së djeshme në Bazel, kur u pyet se çfarë do të thoshte për të, të fitonte në qytetin e idhullit të tij Roger Federer, përgjigja e tij ishte e mbushur me emocione: “Është nder të të shkruhet emri pranë atij të Roger Federer. Mendova për të kur u zgjova këtë mëngjes. Unë jam ende larg nivelit të tij. Ai e fitoi këtë turne 10 herë”, u shpreh Auger-Aliassime, që ka të njëjtën datëlindje me legjendën zvicerane të tenisit botëror.
Fitorja në Zvicër e vendos Félix Auger-Aliassime të gjashtin në renditje për pjesëmarrjen e tij të parë në finalet e ATP (10 lojtarët me renditjen më të mirë) nga data 13 deri më 20 nëntor, në Torino të Italisë. Para Torinos, ai do të marrë pjesë dhe në turneun Masters 1000 në Paris që fillon nesër (01.11.). Që nga janari i 2022, Auger-Aliassime ka gjithsej 53 ndeshje të fituara, gjë që e vendos atë të tretin deri tani për këtë vit mes gjithë lojtarëve të ATP, pas spanjollit Carlos Alcaraz (55) dhe grekut Stefanos Tsitsipas (57).
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Getty Images/Daniel Kopatsch












