Media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada mbyll zyrën në Pekin
- Published in Kanada

Pas 40 vitesh prani në Kinë, media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada ka njoftuar sot (02.11) mbylljen e zyrës në Pekin. Në deklaratën e tyre Drejtoresha e Përgjithshme e Informacionit, Luce Julien dhe Drejtoresha e Lajmeve, Aktualitetit dhe Programimit, Ginette Viens, kanë pohuar që CBC/Radio-Canada nuk kishte zgjidhje tjetër veç mbylljes së zyrës për shkak të dështimit të të gjitha tentativave për të marrë vizën e hyrjes dhe akreditimin për korrespondentit e ri në Azi, Philippe Leblanc, që duhej të mbulonte dhe Kinën.
Ndërkohë, kujtojmë që media shtetërore kanadeze u lejua nga autoritet kineze, përkundrejt kufizimeve strikte, për të dërguar ekipin e saj që mbuloi zhvillimin e Lojërave Olimpike të Pekinit dimrin e kaluar. Nga ajo kohë, asnjë korrespondent i Radio-Canada nuk është autorizuar më të qëndrojë atje.
Për më tepër, edhe pse janë zhvilluar disa takime me konsullin kinez në Montréal, Chen Xueming, të gjitha kërkesat për akreditim të CBC/Radio-Canada kanë rezultuar me shtyrje ose kanë mbetur pa përgjigje. Po kështu, një letre të bashkëfirmosur nga drejtuesit më të lartë të korporatës mediatike, dërguar ambasadorit kinez në Kanada, Cong Peiwu, ky i fundit iu përgjigj vetëm me një konfirmim formal që e ka marrë atë.
Sipas deklaratës së publikuar sot, punonjësit e zyrës së CBC/Radio-Canada në Pekin që do mbyllet, do të dëmshpërblehen, ndërsa mbulimi ndërkombëtar i lajmeve në këtë pjesë të Azisë, nga gazetari Philippe Leblanc, për dy vitet e ardhshme do të bëhet nga Taivani.
Ky është rasti i dytë brenda vitit që një zyrë e medias shtetërore kanadeze në një vend tjetër mbyllet. Rasti i parë ishte ai në Rusi, pas fillimit të luftës në Ukrainë, kur qeveria e presidentit Vladimir Putin revokoi akreditimet e ekipeve të CBC/Radio-Canada, çka solli dhe mbylljen e zyrës në Moskë.
©Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Getty Images/Noel Celis