Kanada

Montréal - Angazhim i madh policor për konferencën COP15 të OKB

  • Published in Kanada

Konferenca e OKB-së për Biodiversitetin, ose siç quhet shkurt COP15, do të mbahet gjatë muajit dhjetor në Montreal, ku sektori i Pallatit të Kongreseve, në qendër të qytetit, do të shndërrohet për 20 ditë në një zonë ndërkombëtare, pikat e hyrjes të së cilës, do të monitorohen nga më shumë se 500 policë.

Sipas Policisë Federale Kanadeze (RCMP), që do jetë përgjegjëse për zonën e quajtur “blu” ultra të sigurt nga 1 deri më 20 dhjetor, prej më shumë se dy dekadash është hera e parë që do të angazhohen kaq shumë forca policore njëkohësisht në metropolin frankofon. Për të siguruar numrin e domosdoshëm të agjentëve policorë dhe mbi të gjitha, për të siguruar që akset kryesore të rrugëve të Montréal të jenë të sigurt, RCMP do mbështetet nga Policia Provinciale e Québec, nga Policia e Montréal, Quebec City, Laval, Longueuil dhe Gatineau.

Krerët e shteteve pjesëmarrës që do jenë prezent në konferencë do shoqërohen me autokolonë policore nga Aeroporti Ndërkombëtar Pierre-Elliott-Trudeau deri në Pallatin e Kongreseve, ndërsa në terren, përgjegjësia për të ndërhyrë në rast incidentesh me arrestime apo hetime do të jetë e Shërbimit Policor të Bashkisë Montréal.

Parashikohet që në konferencën COP15, që do zhvillohet nga data 7 deri më 19 dhjetor, do të marrin pjesë më shumë se 15,000 vetë. Në komunikimin e djeshëm me mediat (02.11.) RCMP nuk bëri të ditur se sa krerë shtetesh do të jenë pjesëmarrës dhe kush, saktësisht, i është përgjigjur ftesës së Kinës, që është zyrtarisht vendi pritës i konferencës.

Për shkak se masat shëndetësore në Kinë kundër COVID-19 janë shumë të rrepta, OKB zgjodhi qysh në vjeshtën e vitit të kaluar Montréal-in për mbajtjen e samitit për mbrojtjen e biodiversitetit.

Parashikohet që rreth Pallatit të Kongreseve do të krijohet një zonë e mbyllur, perimetri i të cilës do të përfshijë një pjesë të rrugëve Saint-Urbain dhe Saint-Antoine West, Viger Avenue West dhe Place Jean-Paul-Riopelle. E njëjta gjë vlen edhe për rrugët Côté, De la Gauchetière Ouest dhe Chenneville. Në të gjithë këtë perimetër pikat hyrëse do të monitorohen nga policia.

Vetëm personat e akredituar do të kenë akses brenda zonës së sigurt nga data 1 deri më 20 dhjetor. Stacioni i metrosë Place-d'Armes do të jetë gjithashtu i mbyllur gjatë kësaj periudhe. Trafiku rreth Pallatit të Kongreseve do fillojë të ndërpritet javën e ardhshme sikurse dhe vendosja e gardhit rrethues. Për devijimin e trafikut do të angazhohen forca policore të posaçme. Për këtë arsye Policia e Montréal u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve ta shmangin zonën rreth Pallatit të Kongreseve.

Sipas Radio-Canada, jo më pak se 500 oficerë policie, do të nevojiten 24 orë në ditë, gjatë gjithë ditëve të konferencës, për të siguruar mbarëvajtjen e saj dhe për të menaxhuar manifestimet e shumta të planifikuara rreth perimetrit të mbyllur.

Parashikohet që kostoja totale e pagave të policisë vetëm për Bashkinë e Montréal për periudhën 1-20 dhjetor mund shkojë deri në 25 milionë dollar, faturë që do të paguhet nga qeveria federale.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AFP/STR