Kompania Moderna nis ndërtimin e fabrikës së vaksinave në rajonin e Montréal
- Published in Kanada
Kryeministri kanadez Justin Trudeau i shoqëruar nga Ministri i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, François-Philippe Champagne, ka shkuar sot (07.11.) në Laval, Rajoni i Montréal-it Metropolitan, në vendin ku sapo kanë nisur të ndërtohen ambientet e fabrikës së vaksinave mRNA (anti-COVID) të kompanisë Moderna. Kjo fabrikë, e cila pritet t’ia nisë punës në vitin 2024, do ketë një kapacitet prodhues prej 100 milionë dozash në vit dhe sipas qeverisë federale, pritet të reduktojë varësinë e Kanadasë nga vaksinat e prodhuara jashtë vendit. Falë një partneriteti me Universitetin McGill, investimi i Moderna-s në Laval pritet të injektojë gjithashtu disa miliona dollarë në kërkim shkencor dhe inovacion.
“Kanadaja po synon të garantojë furnizimin e saj me vaksina për dekadat e ardhshme. Investimet e Moderna në Kanada janë pjesë e një ekosistemi biofarmaceutik që do të sigurojë mirëqenien e të gjithë kanadezëve dhe ngritja e fabrikës në Laval është një hap në drejtimin e duhur, jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, por edhe për të rritur peshën e Kanadasë në sektorin e bioprodhimit”, ka pohuar kryeministri Trudeau.

Sipas ministrit të Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, François-Philippe Champagne, ndërtimi i fabrikëës së Moderna do jetë fillimi i një ekosistemi që do të vendosë Montréal-in dhe Lavalin në qendër të prodhimit të vaksinave, jo vetëm kundër COVID-19, por edhe kundër viruseve të frymëmarrjes dhe infeksioneve të tjera”.
Marrëveshja midis qeverisë federale dhe kompanisë amerikane Moderna për ngritjen e një fabrike në Kanada pat qenë nënshkruar në vitin 2021. Më pas në muajin gusht të këtij viti Moderna njoftoi se kishte nënshkruar një kontratë me Institutin Kombëtar të Kërkimit Shkencor, për blerjen e tokës në parkun bioteknologjik Laval. Ndërtimi i fabrikës parashikohet të kushtojë rreth 180 milionë dollarë dhe kur të nisë procesi i prodhimit, parashikohet të punësohen aty të paktën 75 vetë.
Nga ana e tij, presidenti i Moderna, Stephen Hoge, ka deklaruar se objekti që po ndërtohet në Laval jo vetëm që do të bëjë të mundur furnizimin e Kanadasë me vaksina të prodhimit vendas për pandemitë e ardhshme, por “falë bashkëpunimit me Universitetin McGill, kompania do të jetë në gjendje të shpikë medikamente dhe vaksina të tjera, madje edhe kundër kancerit”.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Ryan Remiorz; The Associated Press/Mary Altaffer












