Ndërhyrja e Kinës në zgjedhjet kanadeze: Pierre Poilievre kërkon përgjigje
- Published in Kanada
Kryetari i Partisë Konservatore kanadeze Pierre Poilievre ka bërë dje (09.11.) thirrje për krijimin e një komisioni hetimor për të hetuar tentativat e Kinës për të ndërhyrë në zgjedhjet e fundit federale dhe verifikuar masat e marra nga qeveria Trudeau për të mbrojtur demokracinë kanadeze.
Gjatë një konference shtypi në një dyqan ushqimor në Vancouver të British Columbia, ku ai u shpreh fillimisht për ndikimin negativ të inflacionit mbi fuqinë blerëse të qytetarëve kanadezë, Pierre Poilievre deklaroi se ndihej shumë i shqetësuar pas lajmeve të publikuar nga Global News, sipas të cilave Kina është përpjekur në fshehtësi të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve në Kanada dhe se madje ka kryer një fushatë aktive për të nxitur humbjen e kandidatëve të perceptuar si antikinezë në zgjedhjet federale të 2019-ës.
Kanali i lajmeve anglofon ka raportuar gjithashtu se Shërbimi Kanadez i Inteligjencës ka zbuluar ekzistencën e një rrjeti klandestin të financuar nga Pekini për të mbështetur kandidatë të caktuar në zgjedhjet e fundit.
Më saktë, sipas Global News, Kina ka realizuar transferta parash, nëpërmjet një parlamentari dhe disa personave të tjerë, për të paktën 11 kandidatë në zgjedhjet federale, si dhe persona të stafit me origjinë kineze që punonin për fushatën e tyre. Pekini ka synuar vendosjen e njerëzve të tij pranë ligjvënësve, në mënyrë që të ndikonte vendimmarrjet e tyre.
Ky informacion vjen pak ditë pas njoftimit, nga autoritetet federale, për hapjen e një hetimi mbi ekzistencën e tri zyrave të paligjshme kineze (Global News ka vënë në thonjëza fjalët “komisariate policie”) në Greater Toronto Area, informacion ky i mohuar nga Ambasada Kineze në Ottawa, me pretendimin se bëhej fjalë për persona vullnetarë që kanë ofruar shërbime ndaj pjesëtarëve të komunitetit kinez gjatë kohës së pandemisë të cilët kishin nevojë, ndër të tjera për rinovime dokumentesh.
Gjatë konferencës për shtyp në Vancouver, Shefi i opozitës, Pierre Polievre, ka pohuar se kryeministri Justin Trudeau ka qenë në dijeni të këtyre tentativave qysh nga janari i këtij viti dhe deri tani nuk ka parë asnjë provë për ndonjë veprim konkret nga ana e tij për mbrojtjen e demokracisë kanadeze nga kjo lloj ndërhyrje e huaj, perveçse disa deklarata evazive. Për këtë arsye Poilievre ka deklaruar që Konservatorët do të kërkojnë hetimin e këtyre fakteve nga Dhoma e Deputetëve dhe ka shprehur besimin se do të merret mbështetja e mjaftueshme për këtë kërkesë.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Globe and Mail












