Ushtria Kanadeze hap dyert për rekrutimin e rezidentëve të përhershëm
- Published in Kanada
Siç ka bërë të ditur dje (16.11.) media shtetërore CBC/Radio-Canada, në kushtet e një mungese të paprecedent personeli (rreth 10,000 poste vakante), Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kanadeze, gjenerali Wayne Eyre, ka vendosur të pranojë në radhët e ushtrisë edhe rezidentë të përhershëm që nuk e kanë marrë ende shtetësinë kanadeze. Deri më sot në ushtri kanë marrë pjesë vetëm shtetasit kanadezë dhe rezidentëve të përhershme, për arsye sigurie kombëtare, nuk u lejohej angazhimi në radhët e saj.
Përmes një direktive të brendshme të nënshkruar dhe të shpërndarë më 18 tetor (një kopje të së cilës e ka publikuar Radio-Canada), gjenerali Eyre, oficeri më i lartë i Forcave të Armatosura Kanadeze, ka autorizuar Komandantin e Personelit Ushtarak të rekrutojë shtetas të huaj me status rezidenti të përhershëm, për të cilët duhet të përmbushen tre kushte. Së pari, i rekrutuari duhet të pranojë të aplikojë për shtetësi kanadeze sapo t’i lindë kjo e drejtë. Së dyti ai duhet të plotësojë kriteret për një post të caktuar dhe së fundi, rekrutuesit duhet të binden që personi nuk do të cënojë interesin kombëtar të Kanadasë. Deri më sot, vetëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte i autorizuar, në raste të jashtëzakonshme, të angazhonte në ushtri persona pa shtetësi kanadeze.

Komanda e Personelit Ushtarak nuk ka humbur kohë që nga momenti kur i janë dhënë kompetencat e reja. Katër ditë pasi është marrë miratimi nga Gjenerali Wayre, rekrutuesit e ushtrisë kanë shkruar në Toronto dhe kanë nisur tentativat për gjetjen e kandidatëve potencialë.
Sipas Grazia Scoppio, profesoreshë në Kolegjin Ushtarak Mbretëror të Kanadasë, e cila prej njëzet vitesh është përpjekur të bindë Komandën e Forcave të Armatosura që të lehtësojë kriteret dhe të hapë dyert për rezidentët e përhershëm, ky hap i pare duhet vlerësuar, por ajo mendon se ushtria nuk duhet të ndalet me kaq dhe duhet të përshpejtojë dhe procesin e marrjes së shtetësisë. Kjo është diçka që ekziston tashmë në Shtetet e Bashkuara. Kur imigrantët i bashkohen ushtrisë, procesi i marrjes së nënshtetësisë për ta është më i shpejtë.

Në Shtetet e Bashkuara, një rezident i përhershëm që shërben në ushtri për të paktën një vit kualifikohet për marrjen e nënshtetësisë. Për të lehtësuar procesin, kandidati nuk paguan tarifat që zakonisht kërkohen për të paraqitur një aplikim si dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë përfitojnë gjithashtu një trajtim të përshpejtuar të aplikimit për bashkim familjar.
Në këmbim të këtij favori, rekruti duhet të jetë në gjendje të lexojë, të shkruajë dhe të flasë anglisht. Ai gjithashtu duhet të ketë njohuri të mjaftueshme mbi historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të dëshmojë që respekton parimet e Kushtetutës Amerikane. Sipas Departamenti Amerikan të Mbrojtjes, mesatarisht 8000 rezidentë të përhershëm i bashkohen radhëve të ushtrisë amerikane çdo vit.
Kjo politikë nuk është e re. Ushtria amerikane ka pranuar gjithmonë rezidentë të përhershëm në radhët e saj dhe bazuar në statistikat e vitit 2019, numri i veteranëve të lindur jashtë SHBA ishte 530,000, ose 3% e 18.6 milionë veteranëve që kishte vendi.
Në Kanada, direktiva e re Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nuk e parashikon ende procedurën e përshpejtuar për marrjen e nënshtetësisë kanadeze për rezidentët e përhershëm që do angazhohen në radhët e ushtrisë.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Justin Tang











