Shërbimi Sekret Kanadez: “Freedom Convoy” nuk kërcënonte sigurinë kombëtare
- Published in Kanada

Sipas Drejtorit të Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë (CSIS-Canadian Security Intelligence Service) dhe sipas përkufizimit të nocionit “siguri kombëtare” të miratuar nga ky shërbim, “Freedom Convoy”, lëvizja e protestës kundër kufizimeve shëndetësore që paralizoi qendrën e kryeqytetit federal, Ottawa dhe dy pika kufitare me SHBA, nuk përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare të Kanadasë.
Ky fakt konfirmohet nga dokumentet e depozituara të hënën e kësaj jave (14.11) si prova nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë pranë Komisionin për Gjendjen e Jashtëzakonshme të drejtuar nga gjykatësi Paul Rouleau, komision që ka mandatin të përcaktojë nëse ishte i justifikuar apo jo, aplikimi nga qeveria Trudeau i dispozitave të Aktit për Masat Urgjente për t'i dhënë fund këtyre protestave.
“Asnjëherë Shërbimi nuk i ka vlerësuar protestat në Ottawa apo gjetkë, si një kërcënim për sigurinë e Kanadasë, siç përcaktohet në seksionin 2 të Aktit të CSIS”, citohet të ketë shkruar kreu i Canadian Security Intelligence, David Vigneault, sipas të cilit, CSIS nuk mund të hetojë një aktivitet që konsiderohet si protestë e ligjshme. Nga ana e tij, Vigneault, do të dëshmojë javën e ardhshme në seancën dëgjimore publike të Komisionit Rouleau.

David Vignault
Në hetimin që po kryhet aktualisht, nocioni i sigurisë kombëtare është thelbësor, sepse vetë teksti i Aktit për Masat Urgjente, për të justifikuar aplikimin e këtyre masave, ka si kriter ekzistencën e një situate emergjence, e cila rezulton nga një kërcënim për sigurinë kombëtare të Kanadasë. Dispozita përkatëse mbështetet pikërisht në përkufizimin e parashikuar në Aktin e Canadian Security Intelligence Service.
Çfarë përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, sipas CSIS?
-Spiunazhi ose sabotimi (apo tentativa) në dëm të interesave të Kanadasë.
-Aktivitetet e influencuara nga jashtë kufijve, që lidhen me Kanadanë apo zhvillohen në territorin e saj dhe janë të dëmshme për interesat e saj.
-Aktivitete që inkurajojnë dhe nxisin përdorimin e dhunës ekstreme ose kërcënimet e dhunshme ndaj personave apo pronës, për të arritur një objektiv politik, fetar ose ideologjik.
-Aktivitete që synojnë të trondisin sistemin e qeverisjes të bazuar në Kushtetutën Kanadeze ose që kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë me dhunë.

Rob Stewart (majtas)
Të hënën që kaloi para Komisionit Ruleau ka dëshmuar ish-zëvendësministri i Rendit Publik, Rob Stewart (aktualisht zëvëndësministër i Financave) i cili ka mbrojtur vendimin e qeverisë Trudeau duke u justifikuar se qeveria mund të ketë një përkufizim më të gjerë se sa shërbimet sekrete, për atë se çfarë përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Sipas tij, vendimi për përdorimin e masave të jashtëzakonshme i takon Kabinetit dhe interpretimi ligjor i qeverisë është ai që prevalon. Stewart pohoi gjithashtu që Kabineti Trudeau “ishte plotësisht i bindur se ishte arritur pragu ligjor për aplikimin e gjendjes së jashtëzakonshme”.
Ndërkohë, një javë më parë, dokumente të depozituara në komision konfirmonin se Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë paralajmëronte që përdorimi i masave të jashtëzakonshme nga qeveria federale mund t’i nxiste disa protestues të përdorin dhunë. Sipas këtij njoftimi të klasifikuar “sekret”, ministrat federalë e kishin marrë opinionin e shërbimeve sekrete më 13 shkurt, një ditë para dekretimit të gjendjes së jashtëzakonshme.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Justin Tang/Sean Kilpatrick/Adrian Wyld












