Kanada

Guvernatori i Bank of Canada: Përballja me inflacionin nuk do të jetë e lehtë

  • Published in Kanada

Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem, ka deklaruar dje (12.12.) se institucioni që ai drejton u ndje i befasuar gjatë këtij viti nga kombinimi i rrethanave që nxitën inflacionin e lartë, duke përmendur veçanërisht goditjet e mëdha që pësoi zinxhiri i furnizimeve dhe rritjen e pakontrolluar të aktivitetit ekonomik. Sipas Macklem edhe pushtimi rus i Ukrainës ishte gjithashtu një befasi e papritur, që rriti çmimet e energjisë dhe karburanteve si dhe dinamizoi akoma më shumë inflacionin, që ishte tashmë në rritje.

Për kreun e Bankës Qëndrore Kanadeze, ky ndryshim i papritur gjeopolitik e nënvizon akoma më shumë vështirësinë e mbajtjes së inflacionit në nivele të ulëta në një periudhë afatgjatë, ndërkohë që proteksionizmi rritet dhe përfitimet deflacioniste nga hapja e ekonomive globale zbehen. Ai shtoi gjithashtu se mësimet e nxjerra gjatë këtij viti rezultojnë të jenë këto: është më e vështirë të stabilizosh ofertën sesa të stabilizosh kërkesën, masat e ndërmjetme mund të maskojnë presionet inflacioniste dhe ndërprerjet e furnizimeve ndikojnë më shumë inflacionin kur ekonomia ka një rritje aktiviteti të pakontrolluar.

Komentet e Macklem për The Canadian Press u bënë pas vendimit të javës që shkoi të Bank of Canada për rritjen e normës bazë të interesit me 0.50% duke e çuar atë në 4.25%, rritja kjo më e lartë që nga janari 2008. Prej marsit të sivjetëm, Banka Qëndrore e Kanadasë e ka rritur normën e saj bazë shtatë herë radhazi, në një përpjekje për të ulur inflacionin dhe ngadalësuar ekonominë e mbinxehur.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Jonathan Hayward