Kanada: Fitorja në Mississauga-Lakeshore e Charles Sousa dhe elektorati amnezik
- Published in Kanada

- Nga: Taulant Dedja
Taulant Dedja
Dje u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme për një zonë elektorale federale në Misissauga-Lakeshore të Greater Toronto Area. Fituesi në qendër të fotos quhet Charles Sousa dhe ai kandidoi për Liberalët e Justin Trudeau, pas largimit të deputetit Sven Spengemann, i cili u dorëhoq në muajin maj të këtij viti, për të vazhduar karrierën si burokrat pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Pjesëmarrja e djeshme në votime ka qenë 26.48% dhe fitorja e Charles Sousa me rreth 51% (pak më shumë se 13% e totalit të elektoratit) nuk ishte ndonjë suprizë, sepse në këtë zonë Liberalët kanë mbi 30 vjet që dalin të parët. Në Kanada mjafton 1 votë më shumë se ndjekësit për t’u zgjedhur deputet sipas sistemit mazhoritar me një raund. Përjashtim nga rregulli i më shumë se tri dekadave, bëjnë zgjedhjet e vitit 2006, kur Konservatorët fituan, përfshi dhe zonën në fjalë, e kur për herë të parë Stephen Harper u bë kryeministër i Kanadasë.
Në zgjedhjet e djeshme morën pjesë gjithsej 40 kandidatë, nga të cilët 6 përfaqësonin një parti politike, ndërsa 34 të tjerët ishin regjistruar si të pavaruar. Mediat proqeveritare, me tendencë u përpoqën ta quajnë këtë votim si testimi i parë serioz për kreun e ri Konservator Pierre Polievre, që nga zgjedhja e tij si kryetar shtatorin e kaluar. Në fakt, vetë Konservatorët nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe kësaj gare, që dihej se ishte e paracaktuar se kush do ta fitonte. Na ana e tyre, Liberalët angazhuan disa ministra të rëndësishëm në fushatë.
Ky shënim nuk ka qëllim analizën e pse-së së rezultatit, por thjesht mëton të kujtojë se kush është Charles Sousa, i përfolur madje si kandidat i mundshëm për postin e ministrit të Financave të Kanadasë, në rast se Chrystia Freeland, ministrja aktuale që mban ketë portofol, sipas përfoljes së të njëjtëve komente mediatike, mund të marrë një detyre drejtimi në të ardhmen, në një nga organizatat ndërkombëtare shumëpalëshe më të rëndësishme.
Charles Sousa, me profesion financier dhe bankier, rreth 20 vjet të karrierës së tij i pat kaluar pranë Royal Bank of Canada, ku mbajti disa poste të rëndësishëm drejtues. Në vitet 2007-2018, ai ka qenë deputet provincial i Partisë Liberale të Ontarios, ministër i Punës në qeverinë e Dalton McGuinty dhe ministër i Financave në qeverinë e Kathleen Wynne.
Veçanërisht ata që jetojnë në Ontario e mbajnë mend disfatën totale të Liberalëve të Ontarios jo vetëm këtë verë, por sidomos atë të vitit 2018, kur për shkak të korrupsionit dhe qeverisjes së dobët, ata përfunduan me vetëm 7 deputetë pas zgjedhjeve dhe Charles Sousa, figura numër dy e qeverisë Wynne, ishte në listën e atyrë që humbën pastër në zonat e tyre. Por ja që njerëzit me sa duket harrojnë shpejt dhe pas 4 vitesh, ish-ministri i një qeverie të diskredituar në provincën më të madhe të Kanadasë dhe i një partie politike të penalizuar qartësisht me votë dy herë radhazi, rikonvertohet në nivel federal si deputet i partisë në pushtet e madje një ditë mund të behet sërish dhe ministër i parave publike.
©Flasshqip.ca
Foto: Nathan Denette/The Canadian Press