Kanada

Statistics Canada: ekonomia kanadeze u rrit me 0.1% në tetor

  • Published in Kanada

Sipas të dhënave të fundit (më të larta se ç'pritej) të Statistics Canada mbi produktin e brendshëm bruto real (PBB), ekonomia kanadeze pati një rritje të vogël gjatë muajit tetor me 0.1%, duke tejkaluar kështu parashikimin paraprak se PBB-ja reale do të mbetej e pandryshuar.

Në përgjithësi, prodhimi u rrit në 11 nga 20 sektorët e ekonomisë. Në veçanti transporti ajror u rrit me 5.5% gjatë tetorit, duke arritur në nivelin më të lartë të aktivitetit që nga periudha para pandemisë COVID-19 në shkurt 2020. Megjithatë, pavarësisht nëntë muaj fitimesh të pandërprera, niveli i aktivitetit të transportit ajror gjatë tetorit ishte rreth 34% nën nivelet para pandemisë.

Agjencia federale e statistikave ka njoftuar gjithashtu se rritja në industritë prodhuese të shërbimeve, me përfitime të drejpërdrejta në sektorin publik, tregtinë me shumicë dhe industritë që operojnë drejtpërdrejt me publikun, u shoqërua paralelisht me një rënie në industritë prodhuese të mallrave, si pasojë e uljes së aktivitetit në sektorin minerar

Po kështu, sektori e arteve, sporteve, spektakleve dhe institucioneve të trashëgimisë pati një rritje 4.7% edhe për shkak të një numri më të lartë se zakonisht të ndeshjeve të Toronto Blue Jays në tetor dhe fillimit më vonë se zakonisht të parasezonit të National Hockey League. Ndërkohë, aktiviteti në shërbimet e restoranteve dhe konsumit të pijeve u rrit me 2.1%, duke kompensuar një rënie prej 1.6% në shërbimet e hotelerisë.

Sipas Statistics Canada, informacionet paraprake paralajmërojnë se PBB-ja reale është rritur me 0.1% edhe në nëntor, por ky parashikim do të rivlerësohet në fund të janarit 2023.

Rritja prej 0.1% në tetor pasoi rritjen e shtatorit të PBB-së reale me 0.2%.

©Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press