Kanada

Kanadaja nënshkruan kontratën me Lockheed Martin për blerjen e 88 avionëve gjuajtës F-35

  • Published in Kanada

Ministrja e Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë, Anita Anand, ka bërë publik sot (09.01.) lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë e SHBA dhe prodhuesin Lockheed Martin për blerjen e avionëve gjuajtës F-35, që gradualisht do zëvendësojnë flotën e CF-18 të Royal Canadian Air Force, e cila tashmë po vjetërohet dhe është në përdorim prej katër dekadash qysh nga viti 1982.

Në bazë të marrëveshjes me një kosto totale të vleresuar rreth 19 miliardë dollarë, që përfshin pajisjet shoqëruese, teknologjinë dhe objektet, Kanadaja do të furnizohet me 88 avionë të rinj të tipit F-35 brenda një periudhë 10 vjeçare dhe sipas qeverisë, flota e re do jetë në përdorim më kapacitet të plotë brenda viteve 2032-2034. Ky është investimi më i madh kanadez në fushën aviacionit ushtarak në 30 vitet e fundit.

Katër avionët e parë pritet t’i dorëzohen Kanadasë në vitin 2026, por ata do jenë të dislokuar në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që ushtria kanadeze do përgatisë objektet dhe infrastrukturën e nevojshme në bazat ajrore të Bagotville në Québec dhe Cold Lake në Alberta. Edhe pilotët dhe teknikët e Royal Canadian Air Force fillimisht do të stërviten në bazat amerikane.

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë, gjuajtësit e parë F-35 pritet të mbërrijnë në Kanada në vitin 2029, ndërsa kostoja totale e blerjes dhe operimit të 88 avionëve gjatë disa dekadave të ardhshme parashikohet të jetë rreth 70 miliardë dollarë.

Kanadaja është një nga 8 vendet partnere në NATO që ka kontribuar prej vitit 1997 në kostot e projektimit dhe zhvillimit teknologjik të F-35, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Italinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Holandën. Për këtë arsye, Kanadaja do paguajë rreth 85 milionë dollarë amerikanë (114 milionë dollarë kanadezë) për një avion F-35, çmim ky i njëjtë më atë që ka paguar Departamenti i Mbrojtjes së SHBA. Aktualisht, ky tip gjuajtësi konsiderohet si më performanti. Muajt e fundit kanë nënshkruar kontrata me Lockheed Martin për blerjen e F-35 edhe Zvicra me Gjermaninë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada