Kanada

Kanada - Kryeministri Trudeau priti në Ottawa homologun japonez Fumio Kishida

  • Published in Kanada

Në kuadrin e marrjes së presidencës së G7 për një vit nga Japonia, kryeministri japonez Fumio Kishida ka zhvilluar dje (12.01.) një vizitë të shkurtër një ditore në Ottawa, ku është pritur nga kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat kanë riafirmuar vullnetin për të forcuar lidhjet mes dy vendeve jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në aspektin e partneritetit të sigurisë në rajonin Azi-Paqësor. Ata kanë diskutuar gjithashtu edhe mbi reformën madhore të strategjisë së mbrojtjes të Japonisë, e cila vitet e fundit ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake.

Fumio Kishida është kryeministri i parë aziatik që viziton Kanadanë që nga momenti kur qeveria kanadeze shpalli një politikë të re për rajonin gjeografik Azi-Paqësor nëntorin e kaluar me synimin për të frenuar aty ndikimin kinez. Kjo është gjithashtu vizita e tij e parë në Kanada qysh nga marrja e detyrës në tetor 2021.

“Ramë dakord të kundërshtojmë me vendosmëri përpjekjet e njëanshme të Kinës për të ndryshuar status quo-në me forcë në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore”, ka deklaruar Kishida, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit zyrtar mes dy kryeministrave.

Për sa i takon fushës së energjisë, kreu i qeverisë japoneze pohoi se gazi natyror i lëngshëm do të luajë një rol vendimtar në tranzicionin energjitik të Japonisë, ndërkohë që Kanadaja është tashmë në rrugën për t'u bërë një furnizues kryesor i energjisë për Japoninë dhe Korenë e Jugut, veçanërisht nëpërmjet terminalit të eksportit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) që do të hapet në vitin 2025 në perëndim të vendit, në British Columbia.

Sipas deklaratës zyrtare të Kabinetit Trudeau, “dy kryeministrat pritën gjithashtu në një darkë liderë të biznesit kanadez dhe japonez, ku patën mundësinë të ndajnë me ta vizionin e tyre për një partneritet më të fortë tregtar, investimesh dhe inovacioni. Kryeministri Trudeau dhe kryeministri Kishida ranë dakord të mbajnë një komunikim intensive gjatë kësaj periudhe që Japonia përgatitet të mbajë samitin e G7 në Hiroshima, në maj 2023".

Para mbërritjes në Amerikën e Veriut, kryeministri japonez Fumio Kishida shkoi në Europë ku vizitoi Romën, Parisin dhe Londrën, ndërsa sot (13.01) ndalesa e tij e fundit në kuadrin e marrjes së presidencës së G7 do jetë Uashingtoni, ku ai do të pritet nga presidenti i SHBA Joe Biden.

Disa të dhëna për marrëdhëniet Kanada-Japoni

-Japonia është ekonomia e tretë më e madhe kombëtare në botë, një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë të Kanadasë dhe partneri më i madh dypalësh i Kanadasë për investimet e huaja direkte në Azi.

-Në vitin 2021, eksportet kanadeze të mallrave në Japoni arritën në 14.5 miliardë dollarë, ndërsa importet nga Japonia arritën në 15.5 miliardë dollarë. Produktet bujqësore, energjia, mineralet dhe produktet pyjore janë ndër eksportet kryesore të Kanadasë në Japoni.

-Kanadaja dhe Japonia kanë një traditë të gjatë të marrëdhënieve diplomatike që datojnë nga viti 1928, kur Japonia hapi një mision diplomatik në Ottawa. Kanadaja inauguroi misionin e saj diplomatik në Japoni në Tokio më 21 maj 1929, duke zyrtarizuar marrëdhëniet e plota diplomatike dypalëshe.

-Në maj 2021, ministrat e Jashtëm të Kanadasë dhe Japonisë ranë dakord për prioritete të përbashkëta për të siguruar që rajoni Indo-Paqësor të jetë i lirë dhe i hapur. Prioritetet janë sundimi i ligjit, operacionet paqeruajtëse dhe garantimi i paqes, ndihma humanitare në raste fatkeqësish, siguria energjetike, siguria shëndetësore dhe reagimi ndaj COVID. -19, promovimi i tregtisë së lirë dhe zbatimi i marrëveshjeve tregtare, si dhe mjedisi e ndryshimet klimatike. Zbatimi i prioriteteve të përbashkëta po bëhet sipas një Plani të detajuar veprimi të shpallur në tetor 2022.

-Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor parashikon eliminimin ose uljen e tarifave për shumicën e eksporteve kryesore kanadeze në Japoni, duke përfshirë produktet bujqësore dhe agro-ushqimore, produktet e detit, pyjet, si dhe metalet dhe mineralet. Marrëveshja është shprehje e angazhimit të përbashkët të Kanadasë dhe Japonisë për të promovuar parimet e një sistemi tregtar efikas, të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në rregulla.

Mbi 99,000 qytetarë me origjinë japoneze banojnë në Kanada (sipas regjistrimit të vitit 2021) dhe para pandemisë COVID-19, afërsisht 600,000 turistë japonezë dhe kanadezë udhëtonin respektivisht drejt dy vendeve çdo vit.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada dhe Zyra e Kryeministrit të Kanadasë

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld