Kanada

Ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë viziton Kievin: 200 automjete të blinduara dhuratë Ukrainës

  • Published in Kanada

Ministrja kanadeze e Mbrojtjes Anita Anand, ka vizituar dje (18.01) në mëngjes Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, ku u takua me homologun e saj Oleksii Reznikov, vizitë gjatë të cilës ajo njoftoi se qeveria Trudeau do t’i dhurojë Ukrainës edhe 200 automjete të blinduara shtesë. Bëhet fjalë për transportues të blinduar trupash të tipit Senator, të cilët janë blerë nga kompania kanadeze Roshel që operon në Mississauga, Ontario. Kjo ndihmë, me vlerë 90 milionë dollarë, është pjesë e ndihmës shtesë për Ukrainën prej 500 milionë dollarësh të shpallur në nëntor 2022 nga kryeministri Justin Trudeau.

Sipas ministres Anita Anand, këto mjete të blinduara të sigurta, të lehta për t’u manovruar dhe që adaptohen me terrenin, plotësojnë një nevojë specifike të shprehur nga Ukraina. “Sovraniteti i Ukrainës është i rëndësishëm për të gjithë botën”, pohoi ajo gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Reznikov në Kiev. Ndihma e transportit është komponenti i tretë i ndihmës për Ukrainën, tha ajo, duke iu referuar gjithashtu trajnimit të trupave dhe dërgimit të pajisjeve ushtarake.

Gjatë takimit të tyre dy ministrat e Mbrojtjes diskutuan mbi ecurinë e Operacionit UNIFIER, një mision trajnimi kanadez që përgatit aktualisht me nocionet bazë të luftimit rekrutë ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloni. Rreth 230 ushtarakë të Forcave të Armatosura Kanadeze janë të angazhuar aktualisht në këtë operacion, i cili ka trajnuar më shumë se 35,000 anëtarë të forcave të sigurisë të Ukrainës që nga fillimi i tij në 2015. Anand dhe Reznikov diskutuan edhe mbi pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në takimin e Grupit Këshillues të Mbrojtjes së Ukrainës, i planifikuar të zhvillohet më 20 janar në bazën ajrore Ramstein, Gjermani.

Që nga fillimi i vitit 2022, Kanadaja ka dhënë mbi 5 miliardë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për Ukrainën, ndihmë kjo financiare, ushtarake dhe humanitare. Më 10 janar, qeveria Trudeau njoftoi gjithashtu se do të blinte një sistem të avancuar të raketave tokë-ajër (NASAMS) nga Shtetet e Bashkuara dhe do t'ia dhuronte atë Ukrainës. Vlera e këtij sistemi llogaritet në 406 milionë dollarë dhe është gjithashtu pjesë e ndihmës shtesë që qeveria e Justin Trudeau shpalli nëntorin e kaluar. Sipas ministrisë kanadeze të Mbrojtjes Kombëtare, ky sistem do ta ndihmojë Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbrojtur qendrat urbane, infrastrukturën kritike dhe objektivat ushtarake.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Ivanoh Demers