Gjykata Federale urdhëron riatdhesimin e katër kanadezëve të paraburgosur në Siri
- Published in Kanada

Gjykata Federale e Kanadasë ka urdhëruar dje (20.01) riatdhesimin e katër kanadezëve që aktualisht mbahen të ndaluar në një kamp paraburgimi në Sirinë verilindore. Lajmin për median shtetërore CBC e ka konfirmuar avokati i tyre, Lawrence Greenspon. Ky vendim u mor pikërisht një ditë pas një njoftimi të Global Affairs Canada, sipas të cilit, dikasteri i Punëve të Jashtme do riatdhesojë brenda një kohe të arsyeshme, 6 shtetase kanadeze së bashku me 13 fëmijët e tyre, edhe ato të përfaqësuara nga avokati Greenspon.
Sipas pretendimit të autoriteteve federale, shteti kanadez nuk mund t'u ofronte atyre shërbime konsullore në Siri sepse situata ishte shumë e rrezikshme, por ndërkohë Lawrence Greenspon argumentoi me prova para gjykatës që shtete të tjerë e kanë bërë këtë. “Ky është një lajm i mrekullueshëm. Ne kemi tre vjet që luftojmë për riatdhesimin e tyre. Shpresojmë që të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët kanadezë të ndaluar në Siri të kthehen në shtëpi”, është shprehur avokati i njohur.
Lawrence Greenspon
Në vendimin e saj, Gjykata Federale i referohet kushteve të këqija të paraburgimit të kanadezëve në Siri dhe faktit që ata nuk u gjykuan dhe as u dënuan. “Kushtet e ndalimit të burrave janë edhe më të vështira se ato të grave dhe fëmijëve që Kanadaja ka pranuar t'i riatdhesojë. Nuk ka asnjë provë se ata janë dënuar apo gjykuar me një procedurë që përputhet me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në vendim. Gjykata Federale ka pohuar gjithashtu se qeveria nuk ka ofruar asnjë provë që demonstron përfshirjen e këtyre shtetasve kanadezëve në aktivitete terroriste.
Sidoqoftë, sipas CBC, ky vendim nuk e përjashton mundësinë që Policia Federale Kanadeze (RCMP) të ngrejë akuza kundër këtyre shtetasve pas kthimit të tyre në territorin e Kanadas. Jo më larg se tre muaj më parë, dy shtetase kanadeze u riatdhesuan me fëmijët e tyre dhe njëra prej tyre u arrestua dhe më pas u lirua me kusht.
(Pamje e kampit të paraburgimit Al-Hol në Sirinë verilindore - AFP/Delil Souleiman)
Ndërkohë, bazuar në të dhënat e OJQ-së ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW), 27 kanadezë, ndër ta 13 gra, 10 fëmijë dhe 4 burra, ndodhen aktualisht në Siri, në kampet ku ende mbahen të ndaluar mijëra të afërm të luftëtarëve të Shtetit Islamik. Shumë prej tyre jetojnë në Al-Roj dhe Al-Hol, ku qindra të rritur dhe fëmijë kanë vdekur për shkak të luftimeve në zonë, mungesës së kujdesit mjekësor ose kushteve të këqia sanitare.
Në mesin e katër shtetasve që do të riatdhesohen sipas këtij vendimi është Jack Letts, një kanadez me origjinë britanike, i cili mbahet prej katër vjetësh si i paraburgosur në një burg në Sirinë veriore. I konvertuar në Islam, Letts, i lindur në Oxford të Mbretërisë së Bashkuar, u ishte bashkuar luftëtarëve të grupit të armatosur xhihadist Shteti Islamik në Irak dhe Siri në vitin 2014. Më vonë ai ai u kap nga milicia kurde YPG pasi kish braktisur Raqqa, ish-bastion i Shtetit Islamik.
©Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada