Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 janar 2023

  • Published in Kanada

 

St. John's - Newfoundland

 

-British Columbia, marrëveshje me katër komunitete autoktone për administrimin e burimeve natyrore

-Alberta, 1346 viktima nga mbidozat gjatë muajve janar-nëntor 2022

-New Brunswick, Franca hap liceun e parë ndërkombëtar në provincat atlantike

-Newfoundland, debat urgjent për grevën e autoambulancave paramedikale

-Québec, rihapet pas dy vitesh panairi i automobilëve në Montréal

-Ontario, 11 789 fëmijë në radhë pritje për një ndërhyrje kirurgjikale

 

British Columbia - British Columbia dhe katër komunitete autoktonë të Traktatit Nr. 8 arritën një marrëveshje në parim të premten (20.01) për menaxhimin e burimeve natyrore, pikërisht dy ditë pas marrëveshjes historike të shpallur nga Kryeministri David Eby mes provincës dhe komunitetit autokton të lumit Blueberry në Prince George. Traktati nr. 8 u garanton komuniteteve autoktonë palë në të, të drejtën për ushtrimin e aktiviteteve të tyre tradicionale si gjuetia dhe peshkimi. Marrëveshja e re për shfrytëzimin e burimeve dhe ndarjen e të ardhurave është nënshkruar mes provincës dhe katër komuniteteve Fort Nelson, Saulteau, Halfway River dhe Doig River First, që jetojnë në verilindje të British Columbia. Një nga prioritetet e detajuara në marrëveshje është fokusimi te reduktimi i ndikimeve kumulative nga zhvillimi industrial si dhe nga shfytëzimi i burimeve të naftës, gazit dhe atyre pyjore.

Alberta - Sipas të dhenave nga autoritetet provinciale, numri i personave që humbën jetën nga mbidozat vdekjeprurëse midis janarit dhe nëntorit 2022 në Alberta ka arritur shifrën 1,346. Edhe pse kjo shifër është më e ulët se në vitin 2021, kur numri i tyre ishte 1758, viti i kaluar kalendarik mbetet viti i tretë më vdekjeprurës. “Një dështim më pak i tmerrshëm”, e ka konsideruar Petra Schulz, bashkëthemeluesja e Moms Stop the Harm, një organizatë që bashkon familjet e viktimave të mbidozës. Nga ana e tij, Colin Aitchinson, sekretari i shtypit në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Varësive, ka deklaruar që “sipas të dhënave mbidozat fatale në nëntor 2022 janë ulur 31% krahasuar me nëntorin 2021, por është ende herët për të shprehur optimizëm”. Vitin e kaluar qeveria e Alberta-s shpenzoi 35 milionë dollarë për të mbështetur sektorin e varësive, 60% më shumë se në vitin fiskal 2018-2019.

New Brunswick - Një shkollë private franceze do të hapë dyert e saj në Saint-Jean të New Brunswick, në shtator 2024. E para e këtij lloji në provincat e Atlantikut, kjo shkollë do të ketë fillimisht një kapacitet pritës deri në 290 nxënës, nga kopshti deri në klasën e 12-të. Liceu Ndërkombëtar Francez i Provincave të Atlantikut do të vendoset në ambientet e godinës së Marquet Square në Saint John, ku më parë janë hapur dhe ekspozita nga Muzeu i New Brunswick. Shkolla do të jetë pjesë e rrjetit Don Bosco të shkollave katolike franceze, të hapura në 137 vende të botës. Vullneti dhe dëshira për të hapur një shkollë të mesme franceze në provincat e Atlantikut datojnë prej kohësh. Një delegacion akademikësh pat udhëtuar në Francë kur romancierja Antonine Maillet mori dekoratën e Legjionit të Nderit në vitin 2021. Konsulli i Përgjithshëm i Francës në provincat e Atlantikut, Johan Schitterer, i cituar nga Radio-Canada, kujton që “Presidenti Emmanuel Macron u shpreh në atë kohë se mungesa e një shkollë të mesme franceze në Kanadanë lindore është një anomali”.

Newfoundland - Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador apeloi dje (21.01) për një debat urgjent në parlament mbi grevën e autoambulancave paramedikale. Në deklaratën e tij për shtyp, Andrew Furey njoftoi se u kishte kërkuar zyrtarëve përkatës të mbledhin deputetët të hënën për të diskutuar urgjentisht ndryshimet legjislative që do ta shndërrojnë shërbimin privat të autoambulancave paramedikale në shërbim thelbësor. “Kjo grevë dhe ky konflikt në fushën e marrëdhënieve të punës përbën një shqetësim serioz për sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të provincës”, thuhej në deklaratën e Furey. Rreth 120 punonjës të shërbimit privat të autoambulancave që i përkasin Kompanisë Fewer, kanë nisur grevën prej të premtes (20.01). Ata kërkojnë paga më të larta dhe një plan pensioni më të mirë. Për shërbimet e saj, kompania financohet nga qeveria provinciale.

Québec - Pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë, të apasionuarit pas automobilëve kanë nisur të vizitojnë në Pallatin e Kongreseve Panairin Ndërkombëtar të Automobilëve Montréal 2023 (20-29 janar), me rreth 220 modele të ekspozuara. Sipas drejtorit të përgjithshëm të aktivitetit, Luis Perreira, e veçanta e këtij viti është numri i lartë i automjeteve hibride dhe elektrike, gjithsej 67. Prodhuesit tashmë e dinë se industria është në tranzicion drejt elektrifikimit dhe Québec pritet të jetë një treg i madh për ta. Nga 17 markat e automobilave të pranishme në panair si Lotus, Subaru, Nissan, Hyundai apo prodhuesi i ri vietnamez VinFast, të gjitha kane ekspozuar të paktën një model elektrik, ndërsa Toyota me gjithsej 24 automjete në pavionin e saj, 17 prej tyre i ka makina elektrike ose hibride. Megjithë interesin e rritur në Québec, problemet me zinxhirin global të furnizimit po e kufizojnë aktualisht aksesin në këtë lloj automjetesh.

Ontario - Aktualisht gati 12,000 fëmijë janë në listën e pritjes për ndërhyrje kirurgjikale në Ontario. Drejtuesit e katër spitaleve kryesore pediatrike në provincë kanë deklaruar se kjo situatë është derivat i një problemi shumë më të madh që kërkon ndihmën e qeverisë së Ontarios për t’u zgjidhur. Një valë infeksionesh respiratore, i ka mbajtur të bllokuar ekipet në Spitalin SickKids në Toronto, Spitalin e Fëmijëve McMaster në Hamilton, Spitalin e Fëmijëve në Qendrën e Shkencave Shëndetësore në London dhe Spitalin e Fëmijëve të Ontarios Lindore në Ottawa. Presioni duket se është zbutur pas një tre mujori të vështirë gjatë të cilit ndërhyrjet kirurgjikale u anuluan dhe stafet u dërguan për të ndihmuar dhomat e urgjencës dhe njësitë e mbingarkuara me pacientë të kujdesit intensiv. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, lista e pritjes për operacionet pediatrike vazhdoi të rritet dhe rreth gjysma e 11,789 fëmijëve të regjistruar në Ontario janë duke pritur përtej kohës së rekomanduar klinikisht.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada