Kanada

Sipas ekspertëve, ekonomia kanadeze do ngadalësohet në mënyrë të konsiderueshme

  • Published in Kanada

Një raportim i publikuar dje (24.01) në median shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada, i përgatitur nga The Canadian Press, paralajmëron që ekonomia e Kanadasë do përjetojë një ngadalësim të ndjeshëm. Raportimi i referohet deklaratave të eskpertëve ekonomistë të ftuar në takimin e mbyllur treditor që kabineti ministror i Justin Trudeau po zhvillon në Hamilton (Ontario), si fazë përgatitjeje para rinisjes së punimeve të Parlamentit Federal javën e ardhshme.

Gjatë një konferencë për shtyp, ish-zëvendësguvernatorja e Bankës së Kanadasë dhe drejtuesja kryesore kërkimore në Qendrën Griswold për Studimin e Politikave Ekonomike pranë Universitetit Princeton, Carolyn A. Wilkins, ka deklaruar se “duhet të jemi të përgatitur që ekonomia do ngadalësohet ndjeshëm dhe shkalla e papunësisë do rritet si këtu në Kanada, ashtu edhe në SHBA, Evropë apo Mbretërinë e Bashkuar”.

Ndërsa Kevin Milligan, profesor i Ekonomisë në Universitetin e British Columbia u shpreh që “situata ekonomike do të ketë ndikim mbi normat e interesit, inflacionin dhe të ardhurat e qeverisë dhe për rrjedhojë, me një rënie ekonomike të pritshme, vendimmarrësit duhet të kujdesen që sistemi i Employment Insurancë (Pagesa e papunësisë) të jetë sa më i përgatitur dhe gjithashtu të planifikojnë transfertave të posaçme për qytetarët me të ardhura të ulëta”.

Probabilitet i lartë për recesion

Të hënën e kaluar (23.01), një raport i përbashkët i hartuar nga Këshilli i Biznesit Kanadez dhe firma e konsulencës Bennett Jones theksonte se parashikimet e buxhetit të fundit federal dhe Deklarata ekonomike qeveritare e vjeshtës ishin ndoshta shumë optimiste.

Raporti, i shkruar nga ish-guvernatori i Bankës së Kanadasë, David Dodge dhe ish-këshilltari i politikave financiare liberale, Robert Asselin, arriti në përfundimin se parashikimet e qeverisë bazoheshin në të dhëna të besueshme por njëherazi optimiste si dhe në hipoteza ekonomike e norma interesi që kanë pak shanse për t'u realizuar.

Autorët paralajmërojnë gjithashtu se ka një probabilitet të lartë për një recesion më të thellë këtë vit dhe premtimet e Liberalëve të Trudeau në të gjithë sektorët do të kushtojnë shumë më tepër se sa pritej - qoftë financimi i kujdesit shëndetësor, mbrojtja kombëtare, përmirësimet e infrastrukturës apo lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Nga ana e saj, ministrja e Financave Chrystia Freeland nuk e ka kundërshtuar raportin e Këshillit Kanadez të Biznesit dhe ka deklaruar se nisur nga konteksti aktual dhe një pasiguri ekonomike gjithnjë e më shumë në rritje (sidomos pas rihapjes së ekonomisë kineze) është më e rëndësishme së kurrë që qeveria të ndjekë një qasje fiskale sa më të përgjegjshme.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Nick Iwanyshin/Ryan Remiorz