Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 29 janar 2023

  • Published in Kanada

Québec City

 

-British Columbia, dyqan antikuar në Vancouver që përngjan me një “shpellë thesaresh”

-Alberta, Calgary ndjek shembullin e Montréal për rigjallërimin e qendrës

-Saskatchewan, koncert gratis në Saskatoon me violinat e famshme Amati

-Nova Scotia, provinca vendos hapjen e një fakulteti të ri mjekësie në Cap Breton

-Québec, të afërm të viktimave e politikanë përkujtojnë atentatin në Xhaminë e Madhe të Québec City

-Ontario, ndahet nga jeta Hazel McCallion, ish-kryetarja legjendare e Bashkisë Mississauga

 

British Columbia - I vendosur në zemër të Vancouver, në lagjen Kerrisdale, dyqani unikal antikuar “Pierre's Antiques” strehon shumë thesare prej porcelani dhe koleksione të tjera të rralla nga shekujt 18 dhe 19. Me një vështrim të vetëm ose një prekje të thjeshtë, pronari, Pierre Saint-Denis, e di saktësisht dhe shpjegon se çfarë është e vlefshme dhe çfarë është e rrallë. Sigurisht këtu luan rol përvoja. “Kam parë kaq shumë gjëra në 50 vitet e fundit. E nisa këtë aktivitet kur isha shumë i vogël. Zbulova “garage sales” dhe fillova të mbledh monedha, pulla, lodra, punime artizanale etj.”, shprehet tregtari i antikuareve, tek i cili pasioni vazhdon të jetojë edhe pse kanë kaluar shumë vite. Antika e tij më e preferuar janë gravurat japoneze të drurit, sipas tij estetikisht shumë të bukura.

Alberta - Nën shembullin e Montréal-it, Bashkia Calgary  ka iniciuar disa masa për të zhvilluar qendrën e qytetit dhe në veçanti për të rigjallëruar këtë sektor në mënyrë që të bëhet më tërheqës dhe dinamik. Me 1.3 milionë banorë, metropoli i provincës Alberta, ku janë të vendosura shumica e selive qëndrore të kompanive kanadeze të naftës, është qyteti i tretë më i populluar në Kanada dhe më i madhi në provincë. Sipas administratës bashkiake, pas luhatjeve të çmimeve të naftës dhe pandemisë, qendra e qytetit nuk është më aq e gjallë sa para tre viteve. Për shembull, aktualisht në qendër të Calgary 32.56% e sipërfaqeve të zyrave janë të lira, shifra më e lartë kjo krahasuar me qytetet kryesore në Kanada. Për Thom Mahler, drejtor i Planifikimit Urban në bashki, “Montréal-i është një qytet dinamik me një prani të fortë kulturore, ndaj dhe Calgary synon të ndjekë këtë shembull për të tërhequr më shumë vizitorë dhe banorë në zonën e qendrës”. Plani i Calgary-t përmban tre pika kryesore: shndërrimin e godinave bosh në hapësirë banimi, rinovimin e infrastrukturës në hapësirat publike si dhe investime në planifikim. Vitin e kaluar, bashkia kontribuoi me 2 milionë dollarë për të transformuar një kullë zyrash në 82 apartamente banimi me çmim të përballueshëm, ndërsa në vitin 2021 miratoi një plan prej 200 milionë dollarësh për të rigjallëruar qendrën e qytetit.

Saskatchewan - Qendra Diefenbaker dhe Departamenti i Muzikës pranë Universitetit të Saskatchewan organizuan të shtunën (28.01) në Saskatoon një koncert me instrumente harqesh të shekullit të 17-të. Violina, me të cilën interpretuan violinistët Wagner Barbosa dhe Véronique Mathieu, daton nga viti 1627. Universiteti i Saskatchewan posedon aktualisht katër instrumente të prodhuar nga familja e famshme italiane Amati: dy violina, një violë dhe një violonçel. Për arsye sigurie, vlera e tyre nuk deklarohet publikisht dhe sipas Departamentit të Muzikës pranë Universitetit të Saskatchewan, është një nder i veçantë t’i kesh këto instrumente në Saskatoon dhe të mund t'i prezantosh ato para publikut. Pjesëmarrja në aktivitet ishte falas, falë një donacioni nga SaskCanola.

Nova Scotia - Qeveria e Nova Scotia ka njoftuar të premten (27.01) hapjen e nje fakulteti të ri mjekësie pranë Universitetit të Cape Breton dhe sipas planifikimit përurimi do të bëhet në vjeshtën e vitit 2025. Parashikohet që në gjashtë vitet e para aty të diplomohen të paktën 30 mjekë të rinj. Edhe pse kostoja e projektit nuk është bërë e ditur, sipas kryeministrit Tim Houston mbështetja financiare është e garantuar. Fakulteti i ri i Mjekësisë do të përdorë ndërtesat e Kampusit aktual Marconi të Kolegjit Komunitar të Nova Scotia. Ky institucion arsimor do zhvendoset në vjeshtën e vitit 2024 në ambiente të reja në ndërtim ende, në qendër të qytetit Sidney. Për të ndihmuar realizimin e këtij projekti, Universiteti i Cape Breton ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Universitetin Dalhousie, që ndodhet në Halifax.

Québec - Sot në mbrëmje (29.01) në Xhaminë e Madhe të Québec city, në prani të kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, u zhvilluar ceremonia përkujtimore në nderim të viktimave të 29 janar 2017, ditës tragjike kur një person hyri në xhami në kohën e namazit dhe hapi zjarr duke lënwë gjashtë persona të vdekur dhe njëzet të plagosur. Atë mbrëmje, Ibrahima Barry, Mamadou Tanou Barry, Khaled Belkacemi, Abdelkrim Hassane, Azzedine Soufiane dhe Aboubaker Thabti, humbën jetën duke lënë pas bashkëshortet e tyre dhe 17 jetimë. Për herë të parë, kjo ceremoni përkujtimore sivjet u mbajt në sallën e lutjeve të xhamisë, pikërisht aty ku ndodhi masakra para 6 vjetësh.

Ontario - Sipas një deklarate nga zyra e Doug Ford, sot në mëngjes (29.01) u nda nga jeta Hazel McCallion, e cila shërbeu për 36 vjet si kryetare e Bashkisë Mississauga. “Hazel mishëroi në mënyrë të përkryer nocionin e shërbimit publik dhe ia kushtoi gjithë jetën komunitetit të saj”, shkruhej në deklaratën e kryeministrit të Ontarios . McCallion, e cila do të mbushte 102 vjeç më 14 shkurt, me origjinë nga Port-Daniel i Gaspésie (Québec), pat qenë vendosur në Toronto në vitin 1940. Pas disa vitesh punë pranë Kellogg Canada, ku u ngjit shpejt në pozicione drejtuese, ajo vendosi të hynte në politikë. Fillimisht u zgjodh kryetare bashkie e Village of Streetsville në vitin 1969. Më pas shërbeu si kryetare e Bashkisë së Mississauga (qytet që u krijua nga bashkimi i Streetsville dhe Port Credit) nga viti 1978 deri në 2014. E mbiquajtur “Uragani Hazel” për dhuntinë e saj politike, Hazel McCallion konsiderohet nga gratë si një pioniere në këtë fushë. Ajo qëndroi aktive në sferën publike deri në fund të jetës së saj. Nga ana e tij, John Tory, kryetari i Bashkisë Toronto, shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij përmes një deklarate, duke e cilësuar McCallion “një një politikane kompetente dhe e sinqertë”.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; TheCanadian Press/Jacques Boissinot