Kanada

Kanadaja dërgon në Ukrainë tankun e parë Leopard 2

  • Published in Kanada

Ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand, njoftoi dje (04.02.) nisjen nga Halifax në bordin e një avioni transportues ushtarak të tankut të parë Leopard 2 drejt Ukrainës. Kanadaja ka marrë përsipër furnizimin e ushtrisë ukraninase me katër tanke të këtij tipi dhe për secilin prej tyre është planifikuar një fluturim më vete.

Kontributi kanadez është pjesë e një përpjekjeje të vendeve anëtare të NATO-s për të përforcuar linjate mbrojtjes ukrainase në pritje të një ofensive të madhe ruse në pranverë. Ministrja Anand në deklaratën e saj nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të tankeve të tjerë më vonë.

Forcat e Armatosura Kanadeze disponojnë aktualisht 112 tanke Leopard 2, në disa modele. Nga këta tanke, 82 janë projektuar për luftim dhe 30 përdoren për qëllime inxhinierike dhe rikuperim të mjeteve të dëmtuara.

Tanket Leopard 2 u përdorën gjithashtu për disa vite nga Kanadaja në Afganistan, në kuadrin e Forcës së Asistencës për Sigurinë Ndërkombëtare (ISAF).

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Forcat e Armatosura Kanadeze