Kanada

Lidhje jashtëmartesore me një vartëse: Dorëhiqet kreu i Bashkisë Toronto John Tory

  • Published in Kanada

(Përditësuar 11.02.2023 11:30)

Kryebashkiaku i Torontos, John Tory, ka njoftuar në mbrëmjen e të premtes 10 shkurt dorëheqjen nga detyra, pasi ka pranuar ekzistencën e një lidhjeje jashtëmartesore me një nga punonjëset e tij gjatë periudhës së pandemisë. “Pranoj se një marrëdhënie e tillë ishte një gabim i rëndë nga ana ime”, ka pohuar kreu i metropolit kanadez.

Tory shpjegoi se kjo marrëdhënie u krijua gjatë kohës kur ai dhe gruaja e tij ishin larg njëri-tjetrit për periudha të gjata, ndërsa ai menaxhonte krizën shëndetësore. Për këtë shkak ai kishte informuar Komisionerin e Integritetit dhe i kish kërkuar ta shqyrtonte çështjen. Sipas tij, kjo marrëdhënie ka përfunduar me pëlqim të ndërsjelltë në fillim të këtij viti dhe ai vendosi të largohet nga detyra në mënyrë që të ketë kohën e mjaftueshme për të reflektuar mbi gabimin e tij dhe për të rindërtuar besimin brenda familjes.

“Ndjej keqardhje të madhe dhe kërkoj publikisht falje para qytetarëve të Torontos dhe gjithë atyre që janë lënduar nga veprimet e mia, përfshi stafin tim, kolegët e mi dhe shërbimin publik”, u shpreh gjithashtu gjatë deklaratës së tij të dorëheqjes kryebashkiaku Tory, duke shtuar se mbi të gjitha i kërkonte falje gruas së tij Barb dhe familjes së tij, “të cilët i kam zhgënjyer më shumë se kushdo”. Ndërkohë, po sipas John Tory, punonjësja në fjalë nuk punon më në bashki dhe është punësuar diku tjetër.

Deklarata e dorëheqjes së kreut të Bashkisë Toronto u bë në të njëjtën ditë pasi ky skandal etik u publikua nga e përditshmja e metropolit Toronto Star.

Nga ana e tij John Tory nuk ka harruar të falenderojë qytetarët që e zgjodhën tri herë radhazi. “Isha thellësisht i nderuar që pata mundësinë t'u shërbeja njerëzve të këtij qyteti të mrekullueshëm dhe besoj se kam bërë më të mirën që munda për një qytet që e dua vërtet”. Ai shtoi se do të bashkëpunojë intensivisht me kabinetin e tij për të siguruar tranzicionin gjatë ditëve në vijim.

Me një mbështetje masive John Tory u rizgjodh për herë të tretë si kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të tetorit të kaluar. Ai e fitoi për herë të pare mandatin në vitin 2014, në konkurim me Doug Ford dhe Olivia Chow dhe u zgjodh sërish në vitin 2018 në përballje me ish-kryeurbanisten e qytetit, Jennifer Keesmaat.

Pas bërjes publike të lajmit, disa këshilltarë bashkiakë kanë dalë publikisht me deklarata duke e dënuar ashpër sjelljen e Joh Tory-t. Sipas ligjit provincial të Ontario-s për Bashkinë Toronto, brenda javëve të ardhshme pritet të organizohen zgjedhje të parakohshme për vendin vakant që krijohet pas dorëheqjes së kryebashkiakut. Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak do të votojë për buxhetit e qytetit të mërkurën e ardhshme (15.02), një dokument financiar ky i përgatitur dhe depozituar për miratim nga vetë John Tory. Ende nuk është berë e ditur saktësisht se kur John Tory do të largohet zyrtarisht pas dorëheqjes së tij, ndërkohë që dje, nënkryetarja e Bashkisë Jennifer McKelvie merrte pjesë në një konferencë në Ottawa.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada